Legjenda e futbollit brazilian, Cafu, me rastin e shpalljes së trofeve sportivë “Laureus” (të dhënë pas votimit të më shumë se 1300 gazetarëve ndërkombëtarë), ka folur për lajmet e futbollit botëror përmes gazetës franceze “Le Parisen”. Dy herë kampioni i botës me Brazilin (1994, 2002) inkurajoi bashkatdhetarin e tij Neymar: “Është e dhimbshme ta takosh atë në këtë gjendje shpirtërore. Ai është një lojtar i madh që për mua mund të fitojë ende ‘Topin e Artë’. Ai është ende një nga tre më të mirët në botë”.
Përveç kësaj, ai ka kujtuar edhe talentin e jashtëzakonshëm që ka “10” i PSG-së: “Shpresoj të luajë për një kohë të gjatë. E sigurt është se ditën që nuk do të jetë më në fushë, do të jem i trishtuar”. Çështja e presionit në futbollin e nivelit të lartë ishte një nga çështjet që ish-kapiteni i “Canarinha” theksoi më shumë: “Nuk mund të harrojmë se sa i madh ka qenë presioni mbi supet e tij që kur ishte shumë i ri. Neymar është dikush që njerëzit duan ta shikojnë duke luajtur pa pushim”. I pyetur për të sqaruar nëse, në rast të largimit të Mbappe, Neymar duhet të kërkojë gjithashtu një klub tjetër për të fituar “Topin e Artë”, Cafu refuzoi të komentojë:
“Nëse Mbappé do të largohej nga PSG, gjë që unë nuk e di, do të ishte shumë e lehtë për të thënë se edhe Neymar duhet të largohet. Tashmë ka kontrata që duhen respektuar. Nëse do të ishte në dorën time, do të doja ta shihja Mbappé, Neymar dhe Messi te PSG sezonin e ardhshëm. Është me të vërtetë një treshe fantastike. Nuk ka asnjë treshe kaq të fortë në botë”.