Shumë është raportuar për raketat dhe bombat e ndaluara termobarike që Rusia dyshohet se po përdor në Ukrainë. Janë përmendur efektet e tmerrshme mbi njerëzit dhe fakti që të tilla armë janë të ndaluara. Por çfarë janë këto armë dhe si u futën në përdorim?
Si funksionon një armë termobarike?
Në thelb, bëhet fjalë për një lloj përmbajtjeje plasëse që përdor oksigjenin e mjedisit ku përdoret për të krijuar një shpërthim me temperaturë shumë të lartë. Ndryshe nga armët shpërthyese konvencionale, ku eksplozivi me përqendrim të lartë shërben për të krijuar një shpërthim me përqendrim sa më të lartë, armët termobarike përmbajnë një përbërje kimike e cila shërben më shumë si karburant sesa si eksploziv.
Ky model ka një varësi të lartë nga oksigjeni, i cili mundëson procesin e djegies. Ndaj këto armë përdoren me efikasitet të lartë në mot të thatë. Ato janë veçanërisht të efektshme ndaj llogoreve, bunkerëve, tuneleve dhe një game të ngjashme infrastrukture mbrojtëse. Arsyeja se përse kjo lloj arme është më e përshtatshme ndaj trupave që janë pozicionuar pas fortifikimeve është se ndryshe nga eksplozivët e tjerë, shpërthimi termobarik qëndron më gjatë në zonën e shënjestruar, duke prodhuar nxehtësi tepër të lartë, si dhe një mungesë të përkohshme oksigjeni.
Si u krijuan këto armë?
Si shumë shpikje të tjera të këtij kalibri, origjina e armëve termobarike mund të gjurmohet mbrapsht në kohë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania Naziste krijoi prototipet e para të këtij armatimi. Shpikja i atribuohet fizikanit nazist austriak Mario Zippermayr, i cili zhvilloi modelet e para të bombës aerosol e njohur edhe si bombë me vakum. Të dy këta terma përdoren si emërtime alternative për të përshkruar armët termobarike.
Më vonë, ishin Shtetet e Bashkuara që i përmirësuan modelet ekzistuese, duke përdorur variante të modernizuara të tyre gjatë Luftës së Vietnamit. Pothuajse menjëherë, sovjetikët zhvilluan variantet e tyre të armëve termobarike. Raportohet se të tilla armë janë përdorur nga ushtria sovjetike gjatë konfliktit kufitar me Kinën në vitin 1969, si dhe gjatë Luftës së Afganistanit, kundër rebelëve muxhahedinë. Rusia i ka përdorur këto armë edhe gjatë Luftës së Çeçenisë.
Vende të tjera, si India dhe Spanja, zhvilluan variantet e tyre të armëve termobarike. Ndërsa armë të improvizuara termobarike, raportohet se janë përdorur edhe në sulme terroriste.
Cilat janë llojet e armëve termobarike?
Jo të gjitha armë termobarike janë projektuar njësoj. Disa prej tyre detonohen pasi godasin objektivin, dhe pas një shpërthimi fillestar, përmbajtja më e madhe e ngarkesës eksplozive përhapet në ajër dhe krijon një shpërthim të dytë më të madh, i cili në fakt, është një lloj djegieje e përshpejtuar. Armë të tjera shpërthejnë në ajër mbi objektivin e synuar, pa e goditur atë drejtpërdrejt.
Ekzistojnë një larmi mënyrash sesi këto armë përdoren. Ato mund të lëshohen nga aeroplanët dhe të hidhen me raketa. Madje ekzistojnë edhe variante granatahedhësish dore që mund të lëshojnë përmbajtje termobarike me rreze rreth 10 metra katrorë.
Përdorimi më i zakonshëm, përmes raketave tokë-tokë dhe me predha nga ajri, përfshijnë variante dhe madhësi të ndryshme. Për shembull, raketa e shumëpërfolur balistike ruse, Iskander, mund të mbajë një ngarkesë shpërthyese termobarike prej rreth 700 kilogramësh.
Në vitin 2007, Federata Ruse testoi armën termobarike më të madhe që kishte parë bota, me një shpërthim që u vlerësua si më i madh sesa shpërthimi i armëve më të vogla bërthamore. Rusia e pagëzoi armën e saj si “Babai i të Gjitha Bombave”, në përgjigje të një arme me vakum të krijuar nga amerikanët në vitin 2003, e njohur si “Nëna e të Gjitha Bombave”. Kjo e fundit është e njëjta që Shtetet e Bashkuara përdorën në vitin 2017, kundër ISIS-it në Afganistan. Ndryshe nga varianti rus, bomba amerikanë nuk konsiderohet mirëfilli termobarike edhe pse ka ngjashmëri domethënëse në mënyrën e funksionimit.
Cilat janë efektet dhe a janë të ndaluara këto armë?
Sipas një studimi të CIA-s, të vitit 2000, efektet e shpërthimit të një arme termobarike në hapësira të kufizuara janë të jashtëzakonshme. Personat pranë pikës së shpërthimit praktikisht shpërbëhen. Ata që ndodhen më në skaj, priren të përjetojnë një sërë dëmtimesh të brendshme, duke përfshirë shpërthim të timpaneve të veshëve, shtypje të organeve, kontuzione të rënda, çarje të mushkërive dhe organeve të tjera, dhe verbëri. Një pjesë e viktimave vdesin nga asfiksia, si pasojë e mungesës së oksigjenit në zonën e impaktit, i cili digjet nga reaksioni kimik i shpërthimit.
Por, ndryshe nga sa është raportuar në disa media, armët termobarike nuk janë zyrtarisht të ndaluara në mënyrë specifike nga ligji ndërkombëtar. Por ka interpretime ligjore që këto armë mund të konsiderohen të ndaluara nga konventat për armë konvencionale, kur i bëhet referencë armëve me djegie. Megjithatë, ky mbetet interpretim duke qenë se këto armë nuk janë të listuara në mënyrë eksplicite.(A2)