Ish-ministrja e Financave, aktualisht deputete e Partisë Socialiste, Anila Denaj thotë se ndërhyrja e qeverisë për çmimet duhet vlerësuar.
Në studion e “Log.” me Endri Xhafon, ajo theksoi se kjo ndërhyrje nuk është bërë në asnjë vend tjetër të botës dhe ka si qëllim mbrojtjen e konsumatorit. Sipas saj nuk ka vlerë diskutimi se përse nuk ka transparencë për çmimet, pasi janë në çdo faqe, duke iu referuar bursave.
“Çmimet për fuçi kanë qenë nga 40 në 127 dollarë. Ka edhe një spekulim që mund të shkojnë edhe 300 dollarë për fuçi. Çmime të tilla të lëvizura bëjnë që tregjet të shokohen dhe sigurisht që të mos ketë një zgjidhje të menjëhershme. Ne jetojmë në një epokë të ekonomisë së hapur dhe megjithatë pati ndërhyrje të qeverisë për reduktim të marzheve për të mbrojtur konsumatorin.
Këto çmime janë të luhatshme nga një ditë në tjetrën. Asnjëherë nuk parashikoj ditën e nesërme. Komiteti do të mblidhet prapë pas 2-3 ditësh. E rëndësishme është të vlerësojmë reagimin e menjëhershëm të qeverisë që nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër të botës. Të fillosh të diskutosh pse nuk ka transparencë kur çmimet janë në çdo faqe. Këtë duhet të vlerësojmë”, tha ajo.