Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca zhvilluan një deklaratë të përbashkët për shtyp për ngritjen e Bordit të Transparencës për kufizimin e përkohshëm të çmimeve të shportës dhe inputeve bujqësore.

Ibrahimaj tha se: “. Kjo është një situatë e pazakontë që ne nuk do donim të ndërhynim dhe ka nevojë për monitorim. Lufta krijon pasiguri dhe e panjohura drejt së ardhmes krijon pasiguri dhe kjo ka çuar në rritje të çmimeve për disa produkte të shportës. Po jo të gjitha këto rritje flasin dhe për një rritje edhe në tregjet europiane, qëllimi i bordit është që të mos lejojë që çmimet të rriten, por tregu nuk monitorohet lehtë, sepse ka shumë produkte dhe kosto e prodhimit të produkteve. Detyra e bordit është monitorimi i kostove të prodhimit për gjithë tregtarët e shumicës dhe prodhuesit si dhe marzhit të fitimit. Gjithë kompanitë që ishin prezent sot dhe në takimet e mëparshme që kemi bërë kanë garantuar për të pasur marzhe fitime minimale mbi produktet e shportës, madje disa prej tyre kanë arritur deri aty sa të mos marrin marzhe fitimi por vetëm koston e tyre operacionale.”

Në vijim ministrja tha se: “Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, çmimi në Shqipëri vjen nga inflacioni i importuar dhe gjatë gjithë ditëve të analizës kemi parë sa është rritur inflacioni në gjithë tregjet botërore. Ne nuk mund të vendosim çmimet që do donim, çmime arbitrare sepse jemi në një ekonomi tregu. Në ditët në vijim do ju mbajmë të informuar mbi aktivitetin e bordit dhe instrumentet e veprimit. Ne do bashkëpunojmë më tregtarët që të mos abuzohet.”

“Kemi vendosur një garanci që do të përdoret nga tregtarët kryesorë, që të garantohen blerjet e tyre dhe produktet në tregun shqiptar të mos mungojnë për një periudhë afatmesme, që familjet shqiptare të paguajnë atë që duhet të paguajnë dhe asnjë qindarkë me shumë” u shpreh Ibrahimaj.