Djali i Carlo Ancelottit, Davide, mund të zëvendësojë babain e tij në krye të Real Madridit javën e ardhshme, kur Merengues të përballen me Chelsean në Ligën e Kampionëve. Ancelotti rezultoi pozitiv me COVID-19 sot dhe me gjasë do të humbasë ndeshjen e radhës në La Liga ndaj Celta Vigos në udhëtim.
Megjithatë, “Los Blancos” kanë një provë më kritike javën e ardhshme kur ata do të vizitojnë Chelsean në Stamford Bridge në ndeshjen e parë të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve. Ndeshja do të luhet pikërisht pas shtatë ditësh (6 prill) dhe ‘Carletto’ mund të mos e marrë veten në kohë për takimin me ish-klubin e tij në Londër.
Djali i tij dhe asistenti nr. 1, Davide do të udhëheqë ekipin spanjoll në Stamford Bridge javën e ardhshme nëse babai i tij nuk shërohet në kohë. Davide tashmë rezultoi pozitiv me COVID në dhjetor, së bashku me katër lojtarë të Real Madridit.Ai e ka ndjekur Ancelottin për shumë vite, duke u bërë ndihmës trajneri i tij në Bayern Munich, Napoli dhe Everton para Real Madridit.