Ylli i Atletico Madrid, Stefan Savic, është i bindur se skuadra e tij do ta fitojë Champions League e parë në historinë e klubit spanjoll. Colchoneros kanë qenë të dëshpëruar për ta fituar kompeticionin europian më të rëndësishëm për klube.

Megjithatë, pavarësisht arritjes në finale dy herë në 10 vitet e fundit, ata nuk kanë arritur të triumfojnë. Në të dy rastet janë mundur nga rivalët e përjetshëm të Real Madrid, një herë me penallti dhe një herë në kohën shtesë. Pengesa nuk është kaluar akoma nga skuadra e Simeone-s, por mund të ndodhë këtë vit pasi madrilenët kanë siguruar kalimin çerekfinale duke mundur Manchester United në Old Trafford.

Tani, Atletico Madrid e pret një përballje e vështirë kundër Manchester City-t. Skuadra e Simeone-s nuk ka qenë në formë të mirë në këtë sezon duke i ulur standardet e vejdosura nga vetë ata në La Liga. Megjithatë, sipas qendërmbrojtësit Savic, dita e Atletico-s në Champions do të vijë, herët ose vonë.

“Atletico do ta fitojë Champions League. E kam thënë kohët e fundit në Spanjë”, ka thënë Savic për Sport. “Nuk e di nëse do të ndodhë në këtë sezon, por ajo ditë do të vijë, shpresoj të jem aty”.