Nga 7 marsi kur KQZ publikoi rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme vendore në selinë blu diskutohet vetëm dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD. Përpara se të dilnin nga mbledhja e grupit parlamentar që zgjati mbi 6 orë, deputetët e Partisë Demokratike u përballën me një kërkesë të Lulzim Bashës. “ Më jepni një javë kohë dhe unë do të marrë vendimet e mia”.
Kjo frazë u reflektua në qëndrimet që secili prej funksionarëve të PD mbajti pas mbledhjes. Por edhe në mbledhjen që u mbajt me Kolegjin e Kryetarëve, Lulzim Basha nuk e artikuloi fjalën dorëheqje.
Krahas pritjes së reagimit të Lulzim Bashës, deputetët e grupit parlamentar kanë vijuar takimet private për të ndërmarrë të gjitha hapat që do ta shtynin kreun e PD drejt largimit. Kjo shpresë u iniciua dhe qarkulloi mes deputetëve pak ditë më parë dhe kishte për qëllim përjashtimin e Lulzim Bashës nga grupi parlamentar.
Megjithatë mbi të u hodhën pak firma, pasi shumë prej ligjvënësve demokratë refuzuan të shkonin kaq larg në raportin e tyre me kreun e demokratëve, duke pritur që aktin e dorëheqjes ta ndërmarrë vetë kreu i PD informon abcnews.al. Por pritja e deputetëve nuk do të jetë pafund. Burime sqarojnë se enjtja mund të prodhojë aktet e para kundërshtuese ndaj kryedemokratit. Sipas të njëjtave burimeve deputetë në shenjë proteste ndaj Lulzim Bashës kanë vendosur të bojkotojnë fjalën e tij në parlament. Sinjalet e këtij akti u shfaqën që këtë të enjte.
Ndërkohë, deputetët po vijojnë negociatat edhe brenda grupit parlamentar, por edhe me deputetë të Rithemelimit. Deputeti Dashnor Sula është një prej personave që po negocion me deputetët e tij. Vetë Sula deklaroi se rol të rëndësishëm në këto negociata po luajnë edhe deputetët demokratë, Flamur Hoxha dhe Alfred Rushaj.
Komisioni i Rithemelimit dhe Sali Berisha kanë qëndruar larg këtij debati. Por vendimi për të shtyrë Kuvendin Kombëtar nga 22 marsi në 30 prill ishte sinjali se nevoja për bashkim është e njëjtë nga të dy pjesët e ndara të PD.