Nga Endri Kajsiu/
Lufta ka shkaktuar një krizë të gjithanshme në mbarë botën. Kriza e energjisë, e karburanteve por edhe e bukës sa vjen e thellohet nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainë. Për pasojë të gjitha vendet dhe rajonet po përpiqen që të menaxhojnë burimet e tyre për të përballuar me sa më pak dëme pasojat kësaj lufte që po rrënon ekonominë botërore.
Ne Europë, çmimet kanë fluturuar duke filluar nga energjia te karburantet e i gjithë zinxhiri me radhë. Natyrisht që edhe Ballkani është prekur nga këto rritje, por më kryesorja që mund të ishte një goditje e papërballueshme është mungesa e ushqimeve duke filluar me miellin. E thënë troç, vendi mund kishte shumë më pak furnizim me grurë, sepse Ballkani varet kryesisht nga Serbia dhe Hungaria në këtë segment ushqimor.
Sot, kryeministri Rama u shpreh se: “Sot që flasim problemi më i madh është sigurimi i naftës në treg, për shkak të bllokimit të kompanive. Bizneset tona të miellit kanë kontraktuar 20 mijë tonë miell në Serbi, i cili është bllokuar në momentet që flasim. Ne duam ta hapim këtë me diplomaci, nëse vlen për diçka Ballkani i Hapur është koha që ta hapin rrugën”.
Por, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka dalë po sot me një lajm të mirë para mediave, duke konfirmuar se rajoni nuk do të këtë mungesë të këtyre produkteve (ndryshe ka vepruar me vendet e tjera europiane ku janë ndaluar eksportet).
Pikërisht sot në kulmin e një krize të paparë që nga lufta e dytë botërore, me aktin e sotëm Presidenti serb ka konfirmuar nevojën që ka Ballkani për tu unifikuar në Ballkanin e Hapur. Kriza sotme po e konfirmon këtë më shumë se kurrë. Askush nuk do donte që të kishte një luftë për të vërtetuar se sa e nevojshme është një nismë si Ballkani i Hapur, por në kushtet që ndodhemi para faktit të kryer, nuk do shumë mend për të kuptuar se sa e domosdoshme është kjo nisëm që të jemi të përgatitur dhe të sigurtë për çdo situatë të ngjashme në të ardhmen.