Të dielën në Beograd u mbajt protesta e dytë pro-Rusisë, në një kohë që pushtimi rus në Ukrainë po bën tre javë që ka nisur. Automjetet që valëvitnin flamujt e Serbisë dhe Rusisë dolën nëpër rrugët qendrore të Beogradit. Kjo është protesta e dytë pro-ruse që nga fillimi i luftës në Ukrainë, shkruan Euractiv.
Përveç flamujve rus dhe serb, makinat mbanin shkronjat Z dhe V, të cilat forcat ruse që pushtuan Ukrainën i kanë skalitur në automjetet e tyre. Ministri serb i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviç hodhi poshtë të dielën (13 mars) pretendimet se nga Serbia po rekrutoheshin luftëtarë për në radhët e forcave ushtarake ruse në Ukrainë dhe i kërkoi Ukrainës të tërhiqte pretendimin që ka bërë.
“Ky është një dezinformim i rrezikshëm i nisur nga Shtabi Suprem i Ukrainës dhe ne kërkojmë që ai të tërhiqet menjëherë. Pjesëmarrja e shtetasve serbë në forcat e armatosura jashtë vendit është një vepër e rëndë e dënueshme me vite burgim”, tha Stefanoviq në një deklaratë me shkrim. Një tjetër tubim pro-rus u zhvillua javën e kaluar ku flamuri i BE-së u hodh në tokë.
Kujtojmë që në shumë shtete të tjera janë zhvilluar protesta në mbështetje të Ukrainës. Serbia ka refuzuar të zbatojë sanksione ndaj Rusisë ose të përafrohet me qëndrimin e BE-së.