Këshilltarët ekonomikë të qeverisë gjermane kanë parashikuar një rrezik “të konsiderueshëm” të recesionit si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës. Sipas Këshillit të Ekspertëve Ekonomikë produkti i brendshëm bruto (PBB) i Gjermanisë pritet të rritet me 1.8% në 2022 dhe me 3.6% në 2023, por perspektiva mbetet “subjekt i një pasigurie shumë të lartë”.

“Për shkak të çmimit të lartë të energjisë, inflacioni pritet të rritet në 6.1% këtë vit dhe të ulet në 3.4% vitin e ardhshëm”, tha paneli i ekspertëve. “Lufta ka përkeqësuar ndërprerjet e zinxhirëve të furnizimit që tashmë ishin të tendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit”, tha anëtari i këshillit Achim Truger.

“Në të njëjtën kohë, rritja e çmimit të gazit natyror dhe naftës bruto po prek ndjeshëm kompanitë dhe konsumin privat”, tha ai. “Gjermania është shumë e varur nga furnizimet ruse të energjisë. Një pezullim i këtyre furnizimeve do të shkaktonte një recesion në ekonominë gjermane, me norma inflacioni dukshëm më të larta”, tha anëtarja e këshillit Monika Schnitzer. “Rreziku i një recesioni mbetet “i konsiderueshëm”, tha anëtari i këshillit Volker Wieland, në Berlin.