Nga Skënder Minxhozi/
Në vjeshtën e vitit 2013 Ukraina, ose më saktë Sheshi i Pavarësisë në Kiev, u kthye në epiqendrën e një krize që më vonë do të sillte shumë e shumë trazira e kujtime të këqia në Lindje të kontinentit evropian. Vendimi i qeverisë së Presidentit filorus Janukoviç asokohe për të pezulluar nënshkrimin e një marrëveshjeje asociimi me Bashkimin Evropian, i dha hov një vale protestash që provokuan vdekjen e 131 protesuesve e forcave të policisë gjatë tre muajve dhe që në fund sollën largimin nga vendi të Janukoviç dhe pasuesve të tij.
Një proces mëse normal nga ata që vendet e tjera të Lindjes, përfshirë Shqipërinë, kanë ndjekur për t’u afruar me Bashkimin Evropian, provokoi krizën e parë të thellë politike në Ukrainë, e cila u pasua menjëherë nga aneksimi i territorit ukrainas të Krimesë nga Federata Ruse dhe pushtimi i rajonit të Donbasit. Ngjarjet ndodhen kaq afër njëra-tjetrës, sa ishte dhe është e pamundur të mos i lidhësh. Kremlini pushtoi pjesë të territorit ukrainas jo në emër të afrimit me NATO-n, siç thuhet sot, por për shkak të një procesi afrimi me Bashkimin Evropian. Diçka krejt e ndryshme në formë dhe përmbajtje.
Simbolika e këtij konflikti të përgjakshëm që jetojmë sot, sheh si epiqendër jo dëshirën për t’u anëtarësuar në NATO, sesa projektin e Ukrainës për t’ju bashkuar shembullit të vendeve të tjera ish-satelite të Moskës, drejt Evropës së Bashkuar. Sa për të parën, Aleancën Atlantike, Putin e ka marrë qysh tani përgjigjen: e bashkoi NATO-s si asnjëherë që nga dita e themelimit dhe e solli në kufinjtë e Rusisë hijen e rëndë të armatimeve të saj. Më pak NATO, po rezulton në më shumë NATO!
Rusia po kërkon sot të fshihet pas gogolit të NATO-s, me qëllimin që të kamuflojë një tjetër merak të madh që ka në lidhje me dy shtetet-tampon që ndodhen në Perëndim të saj: Ukrainën dhe Bjellorusinë. Rasti i Bjellorusisë, ku një personazh i tipit Lukashenko u zgjodh president për herën e gjashtë rresht duke vjedhur zgjedhjet, tregon nervin e zbuluar të Putin edhe në lidhje me Ukrainën. Vladimir Putin e gjen të mishëruar modelin e tij politik tek Lukashenko dhe s’mund të lejojë që një “pasqyrë e shtrembër” si Ukraina ta bëhet shkak që ky model të bjerë. Fushata ushtarake ruse në Ukrainë është një lëvizje e dhunshme me disa qëllime. Ndër ta, më kryesori duket dekurajimi i konsolidimit të standarteve demokratike në shtetet fqinje. Dhe ai, Vladimir Putin, nga lartësia e 22 viteve në krye të shtetit rus, e di se këto standarte mund të sjellin një ditë edhe largimin e tij nga pushteti. Perandoria që ka ndërtuar nuk duron përballje dhe mendim ndryshe, prandaj në Rusi kanë vdekur kaqshumë gazetarë e kundërshtarë politikë të Putin.
Hija e europianizimit që është shfaqur në kufinjtë e jashtëm të ish-perandorisë ruse është në fakt shqetësimi kryesor i Presidentit Putin. Armët bërthamore nuk pyesin për distanca. Janë të rrezikshme edhe kur nisen nga Polonia ose vendet Balltike, të cilat ndodhen në kufi me Federatën Ruse.
Putin nuk i frikësohet armëve, por ideve, projektit të europianizimit të hapësirës ish-sovjetike. Prandaj shumëkush po thotë këto orë se ai po kërkon të rindërtojë Bashkimin Sovjetik virtual, si një sistem të mbyllur standartesh, mënyre jetese dhe vetëizolimi. Nuk jemi gej, nuk jemi të droguar apo nazistë, dëgjon shpesh të thuhet me cinizëm nga propoganda dhe politika ruse në adresë të perëndimorëve. Dy nga tre cilësorët e mësipërm nuk kanë të bëjnë asfare me armët apo NATO-n. Putin po kërkon ta mbajë të mbyllur hapësirën ish-sovjetike ndaj çdo trendi transformues, duke kundërvënë një veto që nuk është thjesht ushtarake, por edhe politike e kulturore.
Është kjo frika e madhe, e cila u provua një vit më parë në Bjellorusi, e po materializohet sot tragjikisht në Ukrainë, ku armët ruse po godasin gjithnjë e më afër qendrave të qyteteve, duke vrarë civilë e shkatërruar godina, rrugë e struktura urbane. Ndëshkimi që Vladimir Putin po u jep ukrainasve është jo se rrëmbyen armët e NATO-s për të rrezikuar sigurinë e Federatës Ruse, por sepse nuk pranojnë të jenë si ai. Pavarësia kokëfortë dhe politika europianiste e Ukrainës, që kontraston me servilizmin e Bjellorusisë dhe satelitëve të tjerë prorusë në rajon, është shkaku real i kësaj masakre në brigjet e Dnjeprit. Putin po ndëshkon modelin ukrainas dhe rrezikun që ai paraqet për Moskën, jo ndonjë bazë imagjinare të NATO-s diku në Keiv, Kharkiv apo Lviv.