E shtuna e kësaj jave nisi me protestën që po zhvillohet përpara godinës së kryeministrisë, ku prej një ore po mbajnë fjalët e tyre disa personazhe të kamufluar si “shoqëria civile” e vendit.
Në fakt bëhet fjalë për të njejtat personazhe që prej tre ditësh zhvillojnë një miting me thirrje politike kundër qeverisë dhe Edi Ramës, praktikisht të njejtat thirrje që për shumë kohë i kemi dëgjuar nga goja e Ilir Metës dhe Sali Berishës kundër Edi Ramës.
Duke nisur me Edlira Cepanin, bashkëshorte e ish deputetit dhe zyrtarit demokrat Gert Bogdani, apo me Fatmir Merkocin, anëtar i Komisionit të Rithemelimit në PD i cili në 8 janar luftoi me armë të ftohta në selinë e PD, si dhe Ervin Goci, anëtar i organizatës politike “Thurrje”.
Organizimit të protestës i prin edhe ish ministrja demokrate e arsimit Mirela Karabina, që më shumë se sa e shqetësuar për cmimet, hallin e ka te akuzat mbi qeverinë.
Për të vijuar më tej me Adriatik Lapajn, dhëndrin e ish gjyqtarit të Sarandës Alltun Çela, i shkarkuar nga detyra për korrupsion, sic raportuan me heret disa media.
Organizimi politik i kësaj protestë bëhet edhe më i qartë, nëse i referohemi postimeve të fundit të Sali Berishës dhe Ilir Metës mëngjesin e sotëm, të cilët deklaronin se kjo do të ishte një protestë kundër qeverisë. Meta dhe Berisha shprehën hapur se ata janë jo vetëm mbështetësit, por edhe nxitësit e kësaj proteste.