E ardhmja e Ukrainës si shtet është në fije të perit. Pushtimi rus s’duhet të kishte ndodhur asnjëherë. Ukraina është bërë viktima e rifillimit të politikës së Luftës së Ftohtë, për shkak të udhëheqjes së paaftë dhe vendimmarrjes së keqe.
Duke bërë përgjegjës NATO-n dhe Rusinë për konfliktin aktual, ne duhet të bëjmë një hap pas, dhe të pyesim nëse mund ta kishim parandaluar këtë katastrofë të tmerrshme humanitare.Ukraina është shndërruar në një fushë-betejë të politikës së superfuqive.
Që kur shpalli pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, janë fuqitë e mëdha botërore,ato që kanë vendosur mbi fatin e këtij vendi. A mund ta kishim shmangur luftën e sotme?Nuk do ta dimë kurrë me siguri.
Por bazuar në historinë e fuqive bërthamore që nuk përfshihen në një luftë të plotë, mund të supozojmë se gjërat do të kishin qenë sot ndryshe, nëse Ukraina nuk do të kishte hequr dorë nga armët e saj bërthamore.
Ukraina kishte arsenalin e tretë bërthamor më të madh në botë. Por ajo i dorëzoi të gjitha armët e saj bërthamore, si pjesë e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994. Por pse Ukraina i dorëzoi armët e saj bërthamore? Këtu ndikoi një vendimmarrje politike dritëshkurtër, dhe gatishmëria për t’u besuar superfuqive.
Ukraina, vendi i dytë më i madh i Bashkimit Sovjetik, votoi në një referendum mbi pavarësinë më 1 dhjetor 1991. 90 për qind e ukrainasve votuan në favor të pavarësisë totale.
Bashkimi Sovjetik ishte një fuqi bërthamore. Një e treta e armëve bërthamore të Bashkimit Sovjetik, prodhoheshin dhe ruheshin në Ukrainë, ose 1700 bomba atomike.
Përveç Ukrainës, edhe Bjellorusia dhe Kazakistani trashëguan armë bërthamore nga Bashkimi Sovjetik. Këto armë shërbejnë si një pengesë për pushtimet e ardhshme dhe konfliktet në shkallë të plotë. Megjithatë, mirëmbajtja e tyre është shumë e kushtueshme.
Në fillimin e viteve 1990, varfëria e pllakosi Ukrainën, Kazakistanin dhe Bjellorusinë, dhe miliona njerëz ishin në pragun e urisë. Paratë mungonin. Dhe ndërsa kostoja e mbajtjes së armëve bërthamore u rrit, Kazakistani dhe Bjellorusia ishin gati t’ia dorëzonin Rusisë teknologjinë e tyre bërthamore.
Rusia mund t’i ndihmonte të dyja vendet pasi kishte teknologjinë dhe burimet financiare.Ndërkohë Ukraina ishte në dilemë. Ukrainasit druheshin se do të humbnin mekanizimin e tyre frenues kundër një sulmi të ardhshëm. Por vetëm disa njerëz në botë e ndanin këtë frikë.
Njëri prej tyre ishte Xhon Mershaimer , politolog dhe profesor i Universitetit të Çikagos. Në vitin 1993, ai parashikoi se Ukraina do të rrezikohej nga një sulm rus, nëse s’do të kishte armët e saj bërthamore. Si për t’i ndërlikuar gjërat më shumë, Rusia njihte mirë të gjitha aspektet e teknologjisë bërthamore të Ukrainës, përfshirë edhe kodet për lëshimin e raketave.
Dhe rusët ishin të vendosur të mos e ndanin këtë informacionin me ukrainasit. Natyrisht, ukrainasit mund t’u kërkonin ndihmë shteteve të tjera bërthamore si Shtetet e Bashkuara, Franca, Kina dhe Britania e Madhe për programin e tyre bërthamor. Por edhe superfuqitë e tjera nuk ishin të gatshme ta ndihmonin Ukrainën.
Madje SHBA-ja shkoi një hap më tej, duke i premtuar Ukrainës ndihmë ekonomike, në këmbim të dorëzimit tek Rusia të armëve të saj bërthamore. Ukraina u josh shumë nga ky propozim. Asaj i duheshin paratë, por kërkonte edhe një garanci të plotë, se Rusia nuk do të pushtonte më.
Cila ishte zgjidhja? Ukraina mori një paketë financiare prej 300 milionë dollarësh nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Rusia ra dakord të heqë dorë nga 2.5 miliardë dollarë borxhe për gazin dhe naftën, duke premtuar gjithashtu edhe furnizimin e ardhshëm me karburant bërthamor për termocentralet ukrainase.
Pra superfuqitë i bënë Ukrainës një ofertë që nuk mund ta refuzonte. Por presidenti ukrainas Leonid Kravçuk, po hezitonte ta nënshkruante atë marrëveshje. Administrata Klinton ushtroi presion shtesë mbi Ukrainën, duke pretenduar se refuzimi për ta nënshkruar marrëveshjen,vinte në rrezik marrëdhëniet SHBA-Ukrainë.
Në Marrëveshjen Trepalëshe të Moskës të janarit 1994, presidenti rus Boris Jelcin ushtroi një presion të mëtejshëm mbi Kravçuk. Ai e siguroi se Rusia nuk do ta pushtonte Ukrainën, dhe rusët ishin të gatshëm të nënshkruanin një marrëveshje, që e premtonte zyrtarisht këtë gjë.
Kravçuk u bind më në fund të nënshkruante paktin. Vendimi i Ukrainës, Kazakistanit dhe Bjellorusisë për të dorëzuar tek Rusia armët e tyre bërthamore, në këmbim të disa garancive nga superfuqitë, u nënshkrua në Budapest më 5 dhjetor 1994. Kjo marrëveshje njihet si Memorandumi i Budapestit mbi Garancitë e Sigurisë.
Tre vendet morën garanci nga Rusia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja se do të respektoheshin kufijtë e tyre, se superfuqitë nuk do të ndërhynin ushtarakisht në këto vende, se nuk do të ndikonin në politikën e tyre nëpërmjet presionit ekonomik, dhe nuk do të përdorin armëtbërthamore kundër tyre.
Lista e premtimeve, zbuti shumë nga frikërat që kishte Ukraina. Vendet e tjera të rëndësishme bërthamore, si Kina dhe Franca, nuk e nënshkruan memorandumin. Ato nënshkruan dokumente të veçanta, që shprehnin mbështetje për çarmatimin bërthamor.
Sot e dimë se besimi ndaj superfuqive, ishte një vendim dritëshkurtër dhe i gabuar. Si NATO ashtu edhe Rusia, kanë ndërhyrë shumë herë në politikën e brendshme të Ukrainës, dhe sot jemi në një fazë ku janë njerëzit e zakonshëm, ata që po paguajnë koston e marrëzisë sëliderëve të tyre.