Me afrimin e finales historike të UEFA Conference League në Tiranë më 25 maj, përgatitjet për organizimin e këtij eventi madhështor sa vijnë e intensifikohen me takime dhe inspektime në terren për të qenë gjithçka gati për të pritur ndeshjen. Një tjetër delegacion i UEFA-s mbërrin të martën në Tiranë për vizitën e katërt inspektuese treditore në kuadër të organizimit të finales së Conference League, kompeticionit më të ri për klube në Europë.

Zyrtarët e UEFA-s do të kenë takime të nivelit të lartë me drejtues institucionesh për të monitoruar dhe testuar infrastrukturën aeroportuale, rrugore, hyrjet e daljet në qytet, hotelet ku do të qëndrojnë skuadrat dhe delegacionet zyrtare, fushat ku do të stërviten ekipet finaliste, zonat ku do të grumbullohen tifozët e skuadrave si edhe përshtatja e stadiumit për finalen. Vizita nis me një inspektim në aeroportin e Rinasit me përfaqësues të TIA-s, Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit e më pas do të vijohet me takime me përfaqësues të Bashkisë Tiranë në lidhje me sheshet që do të përcaktohen për t’u mbledhur tifozët, parkingjet, facilitetet që duhen krijuar, rrugët që do të bllokohen në ditën e finales, por edhe banerimin e qytetit para finales së madhe.

Në ditën e finales pritet që në Tiranë të mbërrijë një numër i madh tifozësh dhe zyrtarësh të UEFA-s apo klubeve, por edhe personalitete dhe duhet që e gjithë infrastruktura për të pritur një fluks të madh njerëzish brenda një kohe të shkurtër të jetë gati.

Një vëmendje e madhe do t’i kushtohet stadiumit “Air Albania” dhe punimeve që duhen bërë aty për ta përshtatur çdo detaj me kërkesat e UEFA-s si edhe krijimi i të gjithë kushteve për të plotësuar kriteret e transmetuesit televiziv të finales. Gjithashtu, pjesë e këtij grupi do të jenë dhe përfaqësues të sponsorave të UECL, të cilët vijnë për të parë mundësinë për të organizuar aktivitete promovuese gjatë ditëve para finales. Në këtë vizitë do të diskutohet edhe për organizimin e vullnetarëve që do të angazhohen për këtë event madhor.

Edhe kjo vizitë, ashtu si edhe të tjerat, do të ndiqet në çdo hap nga zyrtarë të FSHF-së, të cilët janë edhe koordinuesit për çdo takim e inspektim të zyrtarëve të UEFA-s dhe që janë bashkë-organizatorë të këtij eventi me qeverinë e futbollit europian. Federata Shqiptare e Futbollit ka një peshë të madhe në organizimin e këtij eventi dhe është partneri kryesor i UEFA-s për finalen.