Federata Shqiptare e Futbollit ka njohur zyrtarisht Eduard Prodranin si kryetar të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila e regjistroi zyrtarisht Prodranin si kryetar të ligjshëm të SHRF-së Tiranë, Armand Duka dhe zyrtarët e FSHF-së i janë bindur vendimit gjyqësor.
Njohja që i bën sot FSHF-ja Prodanit si kryetar legjitim të SHRF-së Tiranë, është një fitore e madhe e Erion Veliajt kundër klanit Duka.
Lajmin e ka dhënë vetë Prodani, që ka postuar në rrjetet sociale një email të FSHF-së, e cila i drejtohet Prodranit në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Rajonale të Tiranës, duke e ftuar për në Asamblenë e Zakonshme Zgjedhore. “Ju bëjmë me dije se, në Asamblenë e Zakonshme Zgjedhore, jeni i ftuar në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, sipas vendimit të Gjykatës Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar që FSHF i ka dërguar Prodranit.
Vetë Prodrani i është drejtuar me një mesazh anëtarëve të Shoqatës së Tiranës, ku thekson se beteja për transparencë dhe lufta për drejtësi ia vlejti. “Më në fund FSHF njeh rezultatin e ligjshëm të zgjedhjeve në Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës. Beteja për transparencë dhe lufta për drejtësi ia vlejti. Tashmë Tirana do të ketë një përfaqësi të vërtetë për futbollin e në shërbim të futbollit. Ashtu si ju kam premtuar do të jem zëri juaj dhe avokati i tërë komunitetit të futbollit në Kryeqytet. Falenderoj të tërë ata që më besuam, më inkurajuan dhe më mbështeten në këtë përpjekje. Mezi pres t’ja nisim punës së bashku”, shkruan Prodrani.