Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri u kërkoi sot qytetarëve të Durrësit të besojnë Emirjana Sakon për drejtimin e bashkisë. Në takimin përmbyllës, Gjiknuri u shpreh se Durrësi si porta kryesore hyrëse në vend do të ketë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga qeveria “Rama” për të çuar përpara punët e mira.
“Durrësi ka një fat tashmë që do të ketë një zonjë në krye të punëve që ju e keni provuar këtë vitin e fundit në drejtimin e Bashkisë. Mbi të gjitha do të keni edhe kryeministrin që e keni deputetin tuaj që do të thotë më shumë vëmendje dhe investime për Durrësin.
Këtë e kam parë në Vlorë! Gjatë kohës që Edi Rama ishte deputet i Vlorës ku qyteti u transformua plotësisht. Ka ardhur momenti që Durrësi të shkojë aty ku e ka vendin sepse është portë hyrëse e Shqipërisë. Këtu do jetë porti kryesor, këtu do të kemi zhvillimet me interesante përsa i përket marinës turistike bashkë me portin e ri tregtar. Të gjitha këto nuk janë thjesht projekte që qeveria do të nxjerrë këto janë për të mirën e qytetarëve dhe do të ndryshojnë përditë jetën tuaj. Do të rritet vlera e pronës, do të ketë më shumë punësim. Kjo do të realizohet falë mbështetjes që do të japë qeveria Rama për Bashkinë e Durrësit me punët e mira që do bëhen”, tha ai.
Duke iu referuar kandidaturave të opozitës, Gjknuri u shpreh se Durrësi nuk ka përse të eksperimentojë dhe të kthehet në një betejë se kush nga ata do kryesojë PD-në. “Keni edhe krahun tjetër i cili më shumë garon kush do të dalë i dyti dhe janë dy përçarës që e çuan dëm Partinë Demokratike. Durrësi nuk ka përse të kthehet në një betejë se kush nga ata do kryesojë Partinë Demokratike. Nuk u intereson qytetarëve të Durrësit kjo gjë. Qytetarët e Durrësit janë qytetarë europianë, janë njerëz të qetë dhe shikojnë nga zhvillimi. Përse ne duhet ta hedhim votën te përçarësit?! Përse një demokrat do duhet të votojë për një nga ata të dy?! Unë e kam thënë dhe e them se edhe ata që duan bashkimin e Partisë Demokratike le t’ja japin votën Anit t’i tregojnë që përçarësit nuk kanë vend në këtë qytet. Prandaj u them edhe atyre demokratëve që janë të zhgënjyer nga politika e përçarjes dhe zhvillimit ta japin votën për kandidaten e Partisë Socialiste që është një durrësake e vërtetë. Kjo do të jetë garancia e zhvillimit”, nënvizoi Gjiknuri.
Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri u shpreh se menaxhimi i situatës post tërmet tregoi se PS është në lartësinë e duhur duke përballur me sukses një krizë jo të vogël sikurse ishte ajo e 2019-s. “Nuk është kollaj të përballosh kriza. Thonë njerëzit: shteti e ka në dorë. Jo, jo është shumë e vështirë të dashur qytetarë sepse do vullnet, fokus dhe një administrim të mirë. Falë kësaj qeverisje u bënë realitet. Kanë ndodhur edhe fatkeqësi natyrore edhe në vende të tjera por ata nuk i kanë adresuar kaq shpejt. Përse? Sepse nuk kanë pasur elementët që unë thashë më sipër. Te qeveria e Partisë Socialiste këto i keni. Qeveria e Edi Ramës i ka dhënë provat. Ne na duhet një qeveri që i ka dhënë provat”, theksoi Gjiknuri.