Nga Adriatik Doçi/
Vendimi i diskutueshëm i gjyqtarit të Tiranës Agron Zhukri, i cili i dorëzoi Partinë Demokratike dhe vulën e saj Sali Berishës, do të pasjellë rikonfigurime dhe përjashtime në bllok nga forumet e larta vendimmarrëse të PD-së. Vendimi i gjyqtarit Zhukri hedh poshtë statutin aktual të PD-së, duke konfirmuar statutin që u miratua në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021, i cili konsiderohet edhe si statuti i linjës së Berishës. Ky dokument, përpos të tjerave, parashikon përjashtimin në bllok të rrethit dhe lidershipit të Lulzim Bashës nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.
Konkretisht, sipas statutit të Foltores, nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit Kombëtar të PD-së të gjithë funksionarët aktualë së selisë blu, të cilët përbëjnë rrethin e bashkëpunëtorëve të Lulzim Bashës. Statuti i PD-së, i miratuar në korrik të vitit 2021 dhe i ndryshuar në 18 dhjetor 2021, (neni 43, pika 1 shkronja ‘e’), parashikonte që funksionarët e PD-së ishin pjesë e Kuvendit Kombëtar. Kjo pikë është hequr nga statuti paralel i miratuar në Kuvendin e 11 dhjetorit, dokument i cili u konfirmua nga gjyqtari Zhukri.
Jo vetëm kaq, por statuti i Foltores përjashton në bllok nga Kuvendi Kombëtar i PD-së kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike, sekretarët e grupseksioneve, anëtarët e kryesive të degëve dhe anëtarët e bordit të këshilltarëve të degës. Anëtarët e këtyre organeve lokale të partisë, të skeduar si njerëz të Bashës bashkë me krerët e degëve, përbënin shumicën e anëtarëve të Kuvendit.
Po pse është kaq i rëndësishëm Kuvendi Kombëtar sipas statutit të Foltores?
Kuvendi Kombëtar i PD tashmë me statutin e ri mund të shkarkojë çdo anëtar të Këshillit Kombëtar, kompetencë të cilën nuk ne kishte më parë. Kuvendi zgjedh anëtarët e Këshillit Kombëtar. Duke pasur në dorë Kuvendin Kombëtar, Berisha ka mundësi të kontrollojë shumë shpjet Këshillin Kombëtar
Nga ana tjetër, Këshilli Kombëtar mund të emërojë dhe shkarkojë sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, anëtarët e Kryesisë së PD-së, nënkryetarët, sekretarët, anëtarët e komisioneve dhe bordeve të partisë. Këshilli Kombëtar miraton gjithashtu koalicionet, kandidaturat elektorale si dhe vendos masa disiplinore. Pra, kush kontrollon shumicën në Këshillin Kombëtar, mund të diktojë edhe kryesinë e PD-së, bordet dhe komisionet, aleancat dhe kandidaturat elektorale.
Përbërja e Kuvendit Kombëtar sipas statutit të PD (Berisha)
Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga 1100 anëtarë, të cilët zgjidhen nga kuvendet e degëve të PDSH sipas një numri të përcaktuar për çdo degë nga Kryetari e PDSH. Listën e kandidaturave për delegatë në Kuvendin Kombëtar paraqitet në Kuvendin e degës nga kryesia e saj.
Janë delegatë të Kuvendit Kombëtar:
a) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
b) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;
c) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
ç) Anëtarët e qeverisë që janë anëtarë të PDSH-së;
d) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, anëtarë të PDSH-së;
dh) Një numër përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë, jo më shumë se 10 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.
Përbërja e Kuvendit Kombëtar sipas statutit të PD (Basha)
1. Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë, që përbëhet nga:
a) Kryetarët e seksioneve të Partisë Demokratike dhe sekretarët e grupseksioneve të Partisë Demokratike;
b) Anëtarët e Kryesive të degëve, përfshirë anëtarët e Bordit të Këshilltarëve të Degës;
c) Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike;
ç) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;
d) Deputetët e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë;
dh) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, dhe këshilltarët vendorë, anëtarë të PDSH-së;
e) koordinatorët tematikë apo koordinatorët e procesit zgjedhor në Degët e Partisë Demokratike, si dhe funksionarët e Selisë Qendrore të Partisë Demokratike;
ë) Një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë jo më shumë se 5 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar./ Shqiptarja.com