Ukraina shënon sot ditën e 20-të të luftës, ndërsa është shkatërruar nga sulmet ruse. Numri i viktimave shtohet dita ditës pasi sulmet vazhdojnë të jenë prezent në zonat e banuara. Të dyja palët kanë një numër të lartë viktimash, por deri më tani nuk është nxjerrë një raport përfundimtar.
Rrugët e qyteteve janë tashmë të heshtura, ku përveç sirenave dhe shpërthimeve nuk dëgjohet asgjë tjetër. Disa prej banorëve të Ukrainës kanë vendosur të largohen për t’u strehuar në vendet fqinje, ndërsa disa të tjerë kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre pavarësisht rrezikut.
Deri më tani rezultojnë mbi 2.8 milionë qytetarë të larguar nga Ukraina të cilët kanë lënë pas gjithçka për t’i shpëtuar luftës.
Pjesa më e madhe e sulmeve kanë qenë nga ajri, duke i kthyer ndërtesat në rrënoja. Deri më tani janë zhvilluar disa bisedime për arritjen e paqes, por pa asnjë përfundim konkret. Shumë shtete të botës janë solidarizuar me luftën që po ndodh në Ukrainë pas sulmit rus, duke shprehur plotësisht mbështetjen e tyre.