Nga Adriatik Doçi

Ajo që para 6 marsit 2022 konsiderohej si një strehim i Sali Berishës nën çatinë Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, pas 6 marsit rezultoi e kundërta; Partia e Ilir Metës u asimilua nga Foltorja e Berishës. Për herë të parë që pas themelimit, për Lëvizjen Socialiste për Integrim me në krye Monika Kryemadhin nuk ka një rezultat konkret në një përballje zgjedhore, pasi rezultati i saj është shkrirë në triumfin e vendit të dytë të Berishës. E qartë është se LSI-ja e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit pas 17 vitesh ka humbur statutin e saj si partia e tretë politike më e madhe në vend. Kjo duket edhe arsyeja se pse askush nuk flet për rezultatin e LSI-së si faktor politik dhe aq më tepër për dorëheqjen e kryetares Monika Kryemadhi, e cila e mori partinë me 14 % dhe e çoi në më pak se 7 %.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, LSI-ja mori vetëm 6.8 % të votave, vota të cilat prodhuan 4 deputetë. Në zgjedhjet parlamentare të 2017, LSI-ja mori 14.2 % të votave, të cilat prodhuan 19 deputetë. Në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, datë e caktuar në befasi nga Ilir Meta, LSI-ja dhe Foltorja e Berishës u bashkuan në koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’, i cili mori ka marrë 31 % të votave. Nëse e marrin të mirëqenë që LSI-ja i ka ruajtur votat e 2021 edhe në 2022, lëvizja e Berishës në këto zgjedhje ka marrë 24 % të votave, 10 % më shumë se sa PD-ja zyrtare me në krye Bashën.

Por qëndrimi i Berishës dhe i rrethit të tij pas 6 marsit 2022 vë në dyshim edhe mundësisë që Lëvizja Socialiste për Integrim të ketë ruajtur rezultatin prej 6.8 % të 2021 në zgjedhjet e pjesshme lokale të 2022. Në retorikën e Foltores, Lëvizja Socialiste për Integrim nuk lakohet që pas 6 marsit 2022 as si faktor politik. Foltorja e lexon 31 % të votave si një triumf personal i Berishës kundër Bashës, duke shpërfillur kështu rolin e partisë së Ilir Metës.

Ndërkaq, mbetet e paqartë se i do të rreshtohet Lëvizja Socialiste për Integrim në zgjedhjet lokale të vitit 2023, nëse do të ruajë identitetin si parti apo do të shkrihet në lëvizjen e Sali Berishës. Ky i fundit synon të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, nga e cila është përjashtuar, por në kushtet e rezistencës së Lulzim Bashës për të dhënë dorëheqjen, mbetet i hapur opsioni që ‘Shtëpia e Lirisë’ të shndërrohet në parti politike./ Shqiptarja.com/