Jerome Rothen, komentator i “RMC Sport”, ish-futbollist i PSG, nuk beson se Lionel Messi duhet të mbetet në Paris pas një sezoni gati të falimentuar:
“Dhjetë ditët që do të kalojë me Argjentinën nuk do ta bëjnë më të mirë për pjesën e fundit të sezonit me PSG. Unë jam skeptik, dashuria nuk ndodhi kurrë mes dy palëve. Për hir të të gjithëve, ai duhet të largohet në qershor. Kjo është përshtypja ime”.
Messi ka luajtur vetëm 26 ndeshje për PSG-në, duke shënuar 7 gola dhe dhënë 11 asiste. Për situatën te PSG ka folur edhe një francez tjetër, që luan në Premier League.
Konkretisht është kapiteni i “gjelave”, Hugo Lloris, njeriu që ka marrë në mbrojtje Mauricio Pochettino, ish-trajneri i tij: “Është e vështirë për mua të jem objektiv, duke pasur parasysh marrëdhëniet me Mauricio.
Sigurisht, problemet e PSG-së nuk vijnë vetëm nga një person. Niveli i ndeshjes ndaj Realit ishte i lartë, ekipi i PSG ishte superior për 150 minuta nga 180 në total, më pas humbi fillin. Karim Benzema ishte i jashtëzakonshëm”.