Ka ardhur dita e së vërtetës. Juventusi sfidon sonte Villarrealin, pas 1-1 të arritur në ndeshjen e parë të luajtur në Spanjë. Pra, për të dyja skuadrat vlen vetëm një rezultat për ta kaluar raundin: fitorja. As 0-0 nuk do të mjaftojë, sepse nga ky sezon golat e shënuar jashtë fushe në kupat e Europës nuk kanë më vlerë të dyfishtë.
Nëse Juventusi nuk ka humbur në 15 ndeshje të Serie A (nokauti i fundit kundër Atalantës, 27 nëntorin e kaluar), Villarreal aktualisht është i shtati në La Liga. Skuadra e Unai Emery, kampione e “Europa League” sezonin e kaluar, vjen nga 1-0 në shtëpi ndaj Celtës gjatë fundjavës.
Sa iu përket formacioneve të mundshme që do të dalin në fushë në ndeshjen e “Allianz Stadium”, te Juventusi duket se është përcaktuar tashmë 11-shja titullare. Nisur nga çifti sulmues, i cili do të formohet nga Morata dhe Vlahovic. Në qendër të mbrojtjes Rugani, ndërsa Chiellini do ta nisë nga pankina. Në të majtë De Sciglio dhe jo Pellegrini. Në mes të fushës Cuadrado, Locatelli, Arthur dhe Rabiot.
Disa probleme për Villarrealin, pa Alberto Moreno dhe ndoshta Moreno tjetër, Gerard. Në mbrojtje, megjithatë, ekziston dyshimi për Foyth, ndërsa Albiol do të jetë referencë. Edhe Capoue ka probleme, por duhet të shtrëngojë dhëmbët.
Ja formacionet e mundshme:
JUVENTUS (4-4-2): Szczesny; Danilo, De Ligt, Rugani, De Sciglio; Cuadrado, Locatelli, Arthur, Rabiot; Vlahovic, Morata.
VILLARREAL (4-4-2): Rulli; Aurier, Albiol, Pau Torres, Pedraza; Chukwueze, Parejo, Capoue, Trigueros; Danjuma, Lo Celso.