Eliminimi i Juventusit nga Champions League do të ketë ndikim në financat e klubit dhe La Gazzetta dello Sport parashikon një tjetër humbje në shifrën prej 200 milionë euro për sezonin 2021-2022. Zonja e Vjetër njoftoi një humbje prej gati 210 milionë euro gjatë sezonit 2020-21 dhe gazeta raporton se rezultatet financiare të këtij sezoni nuk do të jenë më të mira për Bianconerët. Eliminimi i tyre në Champions League nga Villarreali mbrëmë i pengon gjigantët e Serisë A të fitojnë rreth 15 milionë euro duke marrë parasysh paratë e çmimeve të UEFA-s dhe të drejtat televizive.
Juventusi ka fituar rreth 84 milionë euro nga Liga e Kampionëve këtë sezon, 10 milionë euro më shumë se në sezonin 2020-2021 nën drejtimin e Andrea Pirlos, kur Zonja e Vjetër u përball me eliminimin në të njëjtën fazë të kompeticionit. Rezultati i mbrëmshëm bëri që aksionet e Juventusit të bien me 9% këtë mëngjes. Raporti sqaron se Juventusi nuk ka probleme likuiditeti pas një injeksioni të fundit të parave prej 400 milionë eurosh, por plani i klubit për të arritur pikën e barazimit në sezonet e ardhshme do të ndikohet nga rezultati i djeshëm. Kjo do të thotë se e vetmja mënyrë për të rritur të ardhurat e tyre këtë sezon është duke shitur disa nga lojtarët e tyre.