Kombëtarja shqiptare nga dita e hënë ka filluar përgatitjet për dy ndeshjet miqësore me Spanjën dhe Gjeorgjinë në një kompleks katalunash thuajse të izoluar në periferi të Barcelonës. Të gjithë lojtarët duken në gjendje relativisht të mirë, ndërkohë që mungesës së Bajramin dhe Mihajt i është shtuar edhe Amir Abrashi i cili ka një dëmtim dhe si rrjedhojë do të mungojë në këto ndeshje pasi do t’i nënshtrohet një trajtimi të specializuar në Zvicër pranë klubit të tij.

Seanca e parë stërvitore ka qenë e lehtë thjesht për të parë gjendjen fizike të lojtarëve të cilët thuajse janë të gjithë të aktivizuar me klubet e tyre. Të fundit që i janë bashkuar grupit kanë qenë Armando Broja, Marash Kumbulla, Herdi Prenga dhe Qazim Laçi. Seanca stërvitore u zhvillua në kompleksin “Royalverd Vall de Bas”, ku një pjesë e lojtarëve janë stërvitur rregullisht ndërsa ata që kanë luajtur të dielën me klubet në kampionatet respektive kanë kryer stërvitje pa shumë ngarkesa.

Nga pasditja e së martës gjithçka fillon me ngarkesë të plotë për skuadrën kuq e zi, e cila do të qëndrojë në periferi të Barcelonës deri një ditë përpara ndeshjes me Spanjën pastaj do të transferohet në kompleksin e Espanyol-it për të zhvilluar seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes që luhet më 26 mars.