Për tre ditë me radhë, nga data 1-3 Mars, në Tiranë po mbahet Konferenca më e madhe rajonale në fushën e gjuhës së urrejtjes dhe shpifjes.
Mbi 40 të ftuar të nivelit të lartë, më shumë se 300 pjesëmarrës fizikisht dhe qindra të tjerë online, të ndarë në shtatë panele, arritën një seri propozimesh ligjore dhe praktike që ndihmojnë në parandalimin e hate speech në nivel rajonal.
Në ditën e parë të punimeve, deputetja Blerina Gjylameti, si përfaqësuese e Kuvendit të Shqipërisë theksoi se gjuha e urrejtjes është shkaktare primare për konfliktet që kanë ndodhur në të shkuarën në Ballkan dhe atë që po ndodh aktualisht në Ukrainë.
“Ne, si ballkanas, kemi dëshmuar se si demokracia rrezikohet nga liderë autoritarë dhe ide të shekujve të shkuar të zgjerimit të territorit në kurriz të fqinjëve. Ajo që po ndodh në Ukrainë duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për shoqëritë tona, që demokracia nuk është kurrë statike. Për të shijuar frytet e saj, duhet të punojmë përditë, ne si deputetë, shoqëria civile, të gjithë aktorët dhe vendimmarrësit. Nëse qoftë edhe për një moment mendojmë se demokracia është e garantuar, e kemi absolutisht gabim dhe rrëzikojmë që ta humbim atë”.
Dita e dytë e punimeve nisi me një panel për gjuhën e urrejtjes, në të cilin ishte i ftuar kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përkrah ish-zv/kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, kandidatit për kryetar bashkie të Prishtinës, Uran Ismaili, kryeredaktorja e EUROACTIV, Karolina Zbytniakoëska, etj.
Veliaj theksoi se si gjuha e urrejtjes është e papranueshme në kryeqytetin europian të rinisë, në Tiranë dhe ofroi shembuj personalë se si mund të luftohet kundër shpifjes dhe urrejtjes.
Dita e tretë e punimeve mbyllet sot, me arritjen e rezultateve dhe propozimeve për të cilat kjo Konferencë u mbajt.
Konferenca u organizua nga Fondi i Ballkanit Perëndimor, një organizatë ndërkombëtare e themeluar nga Ministritë e Jashtme të Rajonit, për të nxitur dhe përkrahur bashkëpunimin rajonal përmes financimit të projekteve të përbashkëta në fushën e shkencës, arsimit, kulturës, ekonomisë, etj.
Ambasada e Japonisë në Tiranë dhe Fondi i Visegradit mbështetën financiarisht Konferencën.