Zona e njohur si ish-këneta në Durrës, populluar pas ‘90-s, me investimet e kryera gjate qeverisjes socialiste po merr formën e një lagjie të urbanizuar, me shërbime social-arsimore, infrstrukturë të re rrugore, kanale dhe ndriçim. Tashmë zona në fjalë thërritet “Durrësi i Ri” dhe objektivi i kryetares aktuale dhe kandidate e PS, Emiriana Sako është integrimi i plotë i njësisë 6 me qytetin bregdetar.
E shoqëruar nga drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela, sekretari organizativ i PS, Blendi Klosi dhe deputetja Klodiana Spahiu, kryebashkiakja zhvilloi një takim me banorët e zonës në kuadër të fushatës zgjedhore të 6 marsit.
“Ndryshimi që ka pësuar kjo zonë përgjatë viteve të fundit është i jashtëzakonshëm, por me investimet e planifikuara për tu realizuar ish-Këneta, ose Durrësi i Ri siç e quajmë, nuk do të ketë asnjë dallim nga lagjet e tjera të qytetit”, tha Sako.
Referuar angazhimeve, kandidatja socialiste kujtoi se më 1 qershor do të hapet Eko Parku, i cili është pranë Durrësit të Ri.
“Ju jeni dëshmitarë sesi ka qenë gjendja, me plehrat që digjeshin dhe ndotja që krijonte probleme ngado. Sot cilësia e mjedisit ka ndryshuar rrënjësisht aty pasi janë mbjellë 1200 pemë dhe janë ndërtuar shumë fusha sportive”.
Sako shtoi se fokusi i punës tonë është përqendruar tek përmirësimi i infrastrukturës dhe gjatë këtij viti parashikohen ndërhyrje në rrugët: ‘Gjelbërimi”, “Miqësia”, “Vala e detit” dhe “Azem Hajdari”. Gjithashtu prioritet i është dhënë edhe ndriçimit LED të disa rrugëve të kësaj zone.
Deputetja e Partisë Socialiste Klodiana Spahiu në fjalën e saj tha se Emiriana Sako ka një mbështetje të madhe në këtë zonë, por në të gjitha takimet që kemi zhvilluar unë kam vënë re një mbështetje edhe më të madhe nga gratë dhe vajzat, pasi edhe politikat tona i kanë dhënë më shumë mbështetje rolit të grave dhe vajzave në drejtim dhe vendimmarrje. “ne këmi sot 70% të ministrave të qeverisë që janë gra, në këshillin bashkiak të Durrësit shumica janë gra dhe vajza, gjithashtu edhe administrata e bashkisë dominohet nga kjo gjini”.
Zona e ish Kënetës është një zonë e banuar me popullsi heterogjene, -ka thënë Sako para banorëve, – dhe në këtë aspekt ne po punojmë që fëmijët e familjeve tuaja të kenë mundësi të njëjta si të gjithë fëmijët e tjerë të Durrësit”.