Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në zyrë përfaqësuesin e Rajonit të Pulias, Alessandro Delli Noci, me të cilin bisedoi për çështjet e zhvillimit ekonomik si dhe firmosën një marrëveshje, në vijim të “Tirana, kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, për mbështetjen e shumë prej nismave kreative të të rinjve.
“Besoj fort se lidhjet tona me Italinë janë të pandalshme. Teksa flasim për situatën në Ukrainë dhe Rusi, arrijmë të kuptojmë se sa e rëndësishme është të kesh fqinj të mirë. Për ne Italia dhe Pulia janë fqinjët e mirë, nga të cilët nuk ruhemi, nuk trembemi, nuk rrezikohemi. Ndonjëherë, disa gjëra që ne i marrim për të mirëqena në jetë, na kujtohen vetëm kur shikojmë një situatë të ngjashme të dy fqinjëve, kur njëri do të pushtojë, sundojë apo gjunjëzojë tjetrin. Ndërkohë, raporti ynë i fqinjësisë është krejt tjetër. Ne jemi pritur në Itali, jemi ndihmuar nga Italia, kemi pasur histori suksesi në Itali dhe sot, edhe të mirat materiale që vijnë nga Bashkimi Europian, siç janë fondet IPA apo fondet ndër-rajonale, me të cilat rajoni Pulias po investon në Shqipëri gjatë këtij viti të rinisë, janë shembulli i një fqinjësie të mirë”, nënvizoi Veliaj.
Përfaqësuesi i Rajonit të Pulias, Alessandro Delli Noci u shpreh se Tirana është vlerësuar shumë gjatë këtyre viteve, sidomos në planin e angazhimeve rajonale për të rinjtë. “Kemi vendosur ta mbështesim me gjithë përgjegjësinë tonë programin INTERREG, Itali-Shqipëri-Mal i Zi, në kuadër të procesit të integrimit të vendeve si Shqipëria dhe Mali i Zi në Evropë, për ta mbështetur Tiranën në këtë vlerësim të madh që ka pasur në Evropë, si “Kryeqyteti Evropian i të Rinjve”. Vlerësimi që ka pasur gjatë këtyre viteve, në planin e angazhimeve rajonale për të rinjtë, na ka dhënë mundësinë për të krijuar kushtet për shkëmbim kulturor, për të mbështetur krijimtarinë tek të rinjtë në industrinë kreative e kulturore”, theksoi Delli.
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci falenderoi përfaqësuesin e Pulias për mbështetjen që Rajoni i tij po i jep Tiranës në vitin e rinisë. “Prania këtu e z. Delli Noci dëshmon faktin se sa Italia di të luajë në skuadër. Rajoni i Pulias ka bërë këtë kalendar të bukur eventesh, përgjatë këtij viti, kur Tirana është “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”. Kështu që, ky kalendar aktivitetesh i rajonit të Pulias i bashkohet aktiviteteve të tjera të shumta që janë të programuara dhe i bashkohen Javës së Italisë. Ky është një shembull i mirë i punës në skuadër mes qeverisë qendrore, rajoneve, Rajonit të Pulias dhe sidomos kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të cilin e falënderoj”, përfundoi Bucci.