Gjatë seancës së sotme parlamentare Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi i ka bërë thirrje opozitës që të rishikojë vendimin dhe ta votojë paketën e rezistencës sociale.
“Dëgjova që kolegët e opozitës në komisionin parlamentar të ekonomisë votuan kundër paketës për mbrojtjen e qytetarëve nga kriza. E mesa po dëgjoj nga fjalimet e deritanishme ata vazhdojnë ta kundërshtojnë. Unë ju bëj thirrje që ta rishikoni edhe një herë qëndrimin tuaj deri në fund të kësaj seance e ta votoni paketën. E jo se na duhen votat tuaja si numra, aspak si numra, ne numrat i kemi”- u shpreh ministrja.
Ajo ka shtuar se për sa i përket votës së opozitës, ajo ka rëndësi sepse përtej të gjitha masave të marra nga qeveria, përtej çdo lloj pakete sociale, ka një mekanizëm që ndihmon shumë në përballimin e krizës, e ndoshta më shumë se çdo lloj buxheti apo akti ligjor e nënligjor.
“Është solidariteti që duhet të tregojmë me njëri-tjetrin, durimi, toleranca, bashkëpunimi e fryma konstruktive. Mos u thoni qytetarëve që ju do ta kaloni vetë krizën sepse qeveria nuk ju mbështet. Qeveria po e bën punën e saj, por ju lutem bëni edhe ju pjesën tuaj. Vetëm kështu, të gjithë së bashku, kam besim që do ia dalim, siç ia kemi dalë gjithmonë. E çfarë është më e rëndësishme, ne nuk do të lëmë askënd vetëm” – tha Kushi. Duke folur për mbështetjen për punonjësit e sistemit arsimor, ajo theksoi se vëmendja e qeverisë për këtë kategori ka qenë dhe do vazhdojë te jetë e veçantë.
“Në mandatin e kaluar pagat u rritën 32% dhe për këtë mandat jemi angazhuar me shpresë që t’i rrisin me 40%. Edhe e filluam këtë premtim që në vitin e parë të qeverisjes” – tha Kushi.
Ajo shprehu se qeveria do të mbështesë ata që përdorin linjat urbane qytetase dhe ndërqytetase, duke paguar diferencën e çmimit të biletës. Ndërkohë që theksoi se nga muaji prill do të zerohet taksa për pagat deri në 40 mijë lekë, do të përgjysmohet taksa mbi pagat deri në 50 mijë lekë dhe do të ulet taksa mbi pagat nga 150-200 mijë lekë.