Kreu i republikës ruse të Çeçenisë ka quajtur së fundmi Elon Musk “tepër femëror” duke thënë se pronari i Tesla nuk do të mund të matej kurrë në një dyluftim trupor me Vladimir Putin. Dje Musk kishte bërë një ofertë të pazakontë ku tha se donte të luftonte një duel trupor me liderin rus, për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë. “Elon Musk, një këshillë të vogël. Mos u mundo të masësh forcën tënde me atë të Putin. Jeni në dy kategori të ndryshme,” tha lideri çeçen Ramzan Kadyrov në një postim të gjatë në rrjetin social Telegram .
Pasi quante Musk “femëror,” Kadyrov sugjeronte se themeluesi i Tesla duhet të stërvitet fillimisht në fakultetin e forcave speciale ruse, në klubin e dyluftimit Akhmat Fight Club dhe më pas të tentonte përleshjen hipotetike. “Ti do të ktheheshe nga repubika çeçene një person krejt tjetër ‘Elona’, desha të them Elon,” shkruante Kadyrov, duke përdorur me ironi një version femëror të emrit të Musk.
50 vjeçari Musk, tashmë njeriu më i pasur në botë, sipas mediave, sfidoi 69 vjeçarin Putin në një “duel të vetëm trupor” në rrjetin Twitter. “Si trofe është Ukraina,” shkruante Musk. Zyrtrët e Kremlinit reaguan duke e quajtur Musk një “rosak” dhe “djall i vogël.” Më herët zv. kryeministri i Ukrainës i kishte kërkuar kreut të SpaceX të “dërgojë Putin në Jupiter.”