Hernan Crespo, ish-sulmuesi i Interit dhe Milanit, ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, në të cilën ka folur për Paolo Maldinin dhe Javier Zanettin, dy mitet e derbit, që sot janë drejtues të dy skuadrave:
“Te kuqezinjtë luajta vetëm një vit, por Maldini ishte i pari që më ndihmoi të përshtatesha. Më kujtohen fjalët e tij inkurajuese. Ai ishte shembull për të gjithë, luajti edhe me dhimbjet e tmerrshme në gjunjë. Vuajti, por ishte aty, duke luftuar për Milanin. Kur sheh dikë të tillë, të vjen natyrshëm ta ndjekësh atë”.
Argjentinasi, më pas nisi të flasë edhe për Javier Zanettin: “Jemi rritur bashkë dhe mund të them se ka qenë simbol, falë përkushtimit dhe stilit që ka transmetuar gjithmonë. Në kombëtare më ka qëndruar gjithmonë pranë, duke më mbështetur. Më jepte këshilla, për thoshte se skuadra ishte në anën time gjithsesi. Siç duhet të bëjë një kapiten i vërtetë”.