Vendi do të përballet me mungesë të drithërave deri në fund të vitit nëse masat e paralajmëruara të autoriteteve nuk hyjnë menjëherë në fuqi. Të mos presin me muaj për ndarjen e tokës shtetërore, por menjëherë t’ua ndajnë bujqve për të mbjellë misër, elb, grurë pranveror dhe tërshërë apelojnë bujqit, shkruan Alsat.

Nga ana tjetër, për shkak të mungesës së plehut, i cili aktualisht është i ndaluar për eksport nga Rusia, autoritetet duhet të gjejnë tregje alternative, sepse gruri që korret në vjeshtë mund të ketë rendiment të reduktuar prej 30 për qind.

“Çdo pëllëmbë tokë të jepet dhe e jo tenderët për dhënien e tokës bujqësore shtetërore të zgjasin shumë, por të zbatohen menjëherë dhe toka t’u dorëzohet fermerëve, që kjo tokë të përdoret këtë pranverë. Problemi me grurin mund të mos ndjehet tani, por nëse nuk hedhim sasi të mjaftueshme do të kemi problem gjatë korrjes. Kjo do të thotë se nëse vitin e kaluar kemi pasur 3.4 tonë për hektar, këtë vit nuk do ta kemi atë sasi, dhe posa të kemi rendiment më të ulët do të kemi cilësi më të ulët të grurit”, tha Petar Stojkoski, kryetar i Shoqatës së Bujqve.

Vitet e fundit, vendi sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave ka një prodhim më të ulët të drithërave. Nevojat e shtetit janë 300 mijë tonë grurë dhe pritshmëritë janë që këtë vit të prodhohen 250 mijë tonë nëse grurit nuk i hidhen tani vetëti ushqyese. Federata e Fermerëve thotë se apelon vazhdimisht tek autoritetet që ta aktivizojnë tokën e mbetur shtetërore me qëllim rritjen e prodhimit.

“Ushqimi është pasuria jonë bazë dhe arma më e mirë si vend dhe prandaj duhet të prodhohet sa më shumë, duke përfshirë të gjitha burimet. Kemi shumë vite që kemi mungesë të drithërave dhe për këtë arsye si shtet gjithmonë importojmë për ta kompensuar këtë mungesë. Apelojmë si shoqatë për të tejkaluar këtë krizë, duhet ndihmë repro materiale, që çdo pëllëmbë tokë që mund të mbillet në këtë mbjellje pranverore të vihet menjëherë në dispozicion të fermerëve që të mos përballemi me problem që është mungesa e miellit”, njoftojnë nga Federata e Fermerëve.

Javën e kaluar, ministria e Bujqësisë e paraqiti planin për veprim ku do të ndahen 2 milion euro subvencione për kostot e plehrave për prodhuesit e drithërave. Për ndarjen e tokës shtetërore janë planifikuar rreth 12 mijë hektarë, por ende po bëhen analiza se në cilat rajone dhe cilat kultura do të jenë prioritare. /Alsat.mk