Sergio Busquets ka folur për Lionel Messin. “Më mungon dhe jam i sigurt se i mungoj gjithashtu”, – tha mesfushori i Barcelonës, duke premtuar se me kënaqësi do t’ia kalonte shiritin e kapitenit në “Camp Nou” nëse ndodh një kthim emocional nga PSG.

Është folur se shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” mund të kthehet në Katalonjë, pas një sezoni zhgënjyes në kryeqytetin francez. Trajneri i Barcelonës, Xavi, ka lënë një derë të hapur për Messin që t’iu bashkohet radhëve të tij. Edhe Busquets e ka bërë të qartë se do ta priste me krahë hapur futbollistin më të mirë në histori.

Një tjetër produkt i sistemit të famshëm të akademisë “La Masia”, ai që aktualisht vepron si kapiten i Barçës, i ka thënë RAC1: “Largimi i Messit ishte i vështirë dhe na tronditi në fillim. Sigurisht që do të doja të rikthehej Messi, por ai ka një kontratë me një ekip tjetër.

Është gjithashtu e ndërlikuar për shkak të mënyrës se si ai na la. Më mungon. Xavi tha se dyert e Messit janë të hapura për t’u rikthyer. Unë do t’i jap atij shiritin e kapitenit, ka respektin dhe admirimin tim”.

Disa fjalë edhe për të ardhmen e tij te katalanasit: “Mendoj se mund ta ndihmoj ende ekipin. Më ka mbetur edhe një vit në kontratë dhe do të shoh se çfarë duan trajneri e klubi. Nuk do të bëhesha kurrë problem për Barçën. Unë nuk e shoh veten duke luajtur për një ekip tjetër evropian, që nuk është Barça”.