Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës wshtw përhapur dhe tej kufijve, teksa mjetet shpërthyese të humbura arritën në buzë të Bosforit. Paralajmërimet janë lëshuar se pajisjet mund të arrijnë në Detin Mesdhe, pasi autoritetet turke gjetën një tjetër minë detare në vetëm pak orë të shtunën. Ky zhvillim erdhi disa ditë pasi Rusia njoftoi se ujrat mund të transportonin mina ukrainase të vendosura në Detin e Zi drejt Mesdheut, duke paraqitur një kërcënim për lundrimin ndërkombëtar.

Ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar tha se ishte në bisedime me Rusinë dhe Ukrainën pasi një minë detare u zbulua në Bosfor. Ai theksoi se Ekipi i Mbrojtjes Nënujore (SAS) kishte çaktivizuar një minë të pikasur më parë nga një anije tregtare pranë Bosforit. Akar vuri në dukje se Ministria turke e Mbrojtjes ishte koordinuar me Rojet Bregdetare dhe autoritetet e tjera për të siguruar vazhdimin e lëvizjes së sigurt të anijeve, duke thënë se ishin marrë “masat e nevojshme” dhe se forcat detare turke po vazhdonin të punonin ngushtë.

Lundrimi i rrezikuar Autoritetet turke u detyruan të pezullojnë lëvizjen e anijeve nëpër Bosfor në të dy drejtimet të shtunën për arsye sigurie për shkak të këtij incidenti. Dy ditë më parë, Shërbimi Federal i Sigurisë i Federatës Ruse (FSB) akuzoi ushtrinë ukrainase për vendosjen e rreth 420 minave detare në Detin e Zi pranë porteve të Odessa-s, Ochakov-it, Chernomorsk-ut dhe Yuzhny-t. FSB paralajmëroi se këto mina, nëse shkëputen nga spiranca, mund të arrijnë në Bosfor dhe më pas në Detin Mesdhe. Pas njoftimit, marina turke u kërkoi anijeve të saj qw monitorojnë minat e mundshme, ndërsa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan theksoi se Ministria e Mbrojtjes po merr të gjitha masat e nevojshme dhe se nuk ka arsye për shqetësim.

Nga ana e saj, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova theksoi se, për shkak të minave detare të vendosura nga forcat e Kievit në ujërat e porteve të Ukrainës, më shumë se 60 anije tregtare me ekuipazhe dhe mallra nuk mund të largohen nga portet e Ukrainës.

Gazeta turke Hurriyet raportoi se “minat e humbura” kishin arritur në buzë të Bosforit nga lumi Danub. Ndërkohë, kanali i lajmeve AHABER i Turqisë tha se marina e vendit kishte lëshuar një njoftim detar “Navtex” duke paralajmëruar anijet për rrezikun e minave.

Sonar skanues Admirali Cihat Yayci, një ish-komandant i Marinës Turke, thotë se rrjedhja aktuale e Danubit po shkon drejt Bosforit në Stamboll, kështu që çdo minë lundruese do të shkojë në det, gjë që është një gjë shumë e rrezikshme. Admirali Yayci i tha Al Jazeera-s: “Një minë që peshon 172 kilogramë mund të zbulohet nga sonari i zbulimit të minave që kemi, por është e vështirë të zbulosh mina që peshojnë 30 kilogramë, gjë që kërkon një kërkim të gjerë dhe të mundimshëm”.

Ai u bëri thirrje forcave detare turke që të kërkojnë me sonar ujërat pranë Bosforit për të zbuluar këto mina të vogla. Ish-komandanti i forcave detare turke theksoi se nëse një minë prek anijen, ajo do të shpërthejë dhe do ta fundos atë dhe se ngjarje të tilla e vështirësojnë lundrimin në Detin e Zi. Sipas tij, minat janë armë të lira, të rrezikshme dhe të ndaluara. “Nëse një minë përplaset me një nga anijet e ngarkuara me naftë bruto, do  të jetë një fatkeqësi e madhe”, tha ai. Ai paralajmëroi gjithashtu se minat endacake mund të godasin anijet e kërkimit të gazit në Detin e Zi, duke thënë se ishte e nevojshme “të ndërmerren veprime në zonat përreth anijeve”.

Sa i përket mundësisë që minat të hyjnë thellë në detin e Bosforit dhe të shpërthejnë në brigje, Yayci theksoi se ka pak mundësi për këtë, për shkak të masave të marra nga Marina turke në skajet e detit. Prova më e mirë për këtë është se ekipet zbuluan dy mina para se të arrinin në ngushticë.

Ai shtoi se duhet të krijohet një korridor i sigurt për minahedhësit e Marinës turke për të inspektuar vazhdimisht detin dhe transportin e drejtpërdrejtë detar. Nga ana e tij, eksperti ushtarak dhe strategjik turk Ismail Hakki tha se minat përbëjnë një kërcënim të madh për Stambollin. Ai beson se çdo kërcënim ndaj tregtisë apo jetës është përgjegjësi e vendeve ndërluftuese dhe se ato janë të detyruara të kompensojnë dëmin.(Tesheshi)

Lidhur me rregullimin e trafikut detar në ujërat më të rrezikshme, aktualisht për shkak të këtyre minave, Hakki i tha Al Jazeera-s: “Që kur minat dolën jashtë kontrollit, ujërat e Detit të Zi dhe Azov janë në vend të parë për sa i përket rrezikut. Më pas janë ujërat e Bosforit, pastaj Deti Marmara, Dardanelet, Deti Egje dhe në fund Deti Mesdhe|. Ai theksoi se nëse minat arrijnë në Detin Mesdhe, do të shkaktojë një fatkeqësi detare që do të lërë gjurmë në tregtinë globale për një kohë të gjatë.