Në prag të miqësores me Zvicrës dhe Kosovës, për mediat helvete ka folur Ragip Xhaka, babai i Granitit dhe Taulantit, futbollistë të njohur. Graniti, sikurse dihet, është kapiten i kombëtares zvicerane dhe për herë të parë do të duhet të sfidojë “rrënjët” e veta, Kosovën.

Intervista e Ragipit për “Blick” ka qenë e gjatë, duke treguar vështirësitë që ka kaluar, sidomos burgimin dhe torturat atje, për të cilat janë në dijeni dhe djemtë. Prandaj, pyetja më ngacmuese është e tillë:

Nëse e tregon këtë histori, e kupton më lehtë pse djali juaj Graniti festoi me shqiponjën dykrenare pas golit të tij ndaj Serbisë në Botëror?! Ragipi përgjigjet: “Ai kurrë nuk ka dashur të bëjë një deklaratë politike. Kjo ishte thjesht nga emocionet. Nuk urrej askënd, më besoni”.

Graniti mendon se nuk do t’i tregosh gjithçka që ke kaluar në burg…
Ai ka të drejtë. Unë ju kam thënë rreth 50 për qind të historisë deri tani. Vetëm gruaja dhe babai im dinë gjithçka. Djemtë e mi nuk kanë nevojë t’i dinë të gjitha detajet.

Zvicra, të martën do të luajë kundër Kosovës. Djali yt, kapiteni i kombëtares së Zvicrës do të zhvillojë ndeshjen e tij të 100-të ndërkombëtare…
Do të jetë një festë për të dyja vendet. Dhe unë jam babai më krenar në botë, si për Taulantin, edhe Granitin. Unë dhe gruaja ime e dimë mirë se çfarë i detyrohemi Zvicrës dhe do t’i jemi përjetësisht mirënjohës këtij vendi”.