Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka reaguar pas kërkesës së deputetëve të PD për thirrjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e anuluar më herët prej saj, mbledhje që do të shqyrtonte kërkesën e SPAK për deputetin e PS Alqi Bllako.
Në përgjigjen e Nikollës për deputetët e PD që kërkuan mbledhjen e Këshillit, thuhet se:”Z. Alqi Bllako për të cilin është kërkuar dhënia e autorizimit për arrestim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur në Kuvend deklaratën se me dijeni dhe vullnet të plotë dorëzon mandatin e deputetit nëpërmjet heqjes dorës nga ky mandat. Referuar nenit 71, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës, mandati i deputetit z.Alqi Bllako, mbaron për arsye të heqjes dorë nga mandati.
Në këto kushte, sipas rregullores së Kuvendit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi.
Sa më sipër, është anuluar mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, njoftuar për datën 30.03.2022, ora 18:00″.
Lidhur me rithirrjen e mbledhjes, Nikolla deklaron se çështja për të cilën kërkohet nuk ekziston më.
“Çështja për të cilën ju kërkoni mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nuk ekziston më. Për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.