Nga gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë, nisi sot zbatimi i projektit tre-vjeçar “Qëndro në Shkollë”, i cili mbështet politikat aktuale arsimore të Ministrisë së Arsimit për parandalimin e braktisjes shkollore tek nxënësit dhe të rinjtë.Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Znj. Evis Kushi, Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Znj. Olta Manjani, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Znj. Bora Muzhaqi, Ambasadori Italian në Shqipëri z. Fabrizio Bucci dhe Përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri Roberto De Bernardi.
Gjatë fjalës së saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Evis Kushi theksoi se ky projekt lidhet ngushtë me prioritet kryesore të MAS. Ajo tha se pavarësisht përmirësimeve që ka pësuar sistemi arsimor, infrastrukturës shkollore, forcimit të institucioneve arsimore, trajnimi i mësuesve dhe shumë reformave të ndërmarra, përsëri është realitet që ka individë dhe nxënës që e braktisin shkollën për arsye nga më të ndryshmet.
“Kur flasim për braktisjen shkollore i referohemi arsimit bazë, por ka ardhur koha që ne t’i kushtojmë një vëmendje shumë të rëndësishme edhe atyre të rinjve dhe të rejave që largohen nga shkolla e mesme,”- tha Znj. Kushi. Duke folur për braktisjen shkollore në arsimin bazë, ajo tha se kjo përqindje është 0.51%. Ndërkohë, 96% e nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të, vazhdojnë arsimin e mesëm të lartë. 1.31% është raporti i nxënësve që nuk vijojnë më tej studimet, nga të cilët më shumë janë djem.
Sipas analizave të bëra, largimi nga shkolla ndodh për disa shkaqe: nga largësia e shkollës nga shtëpia, nevoja për të ndihmuar familjen për të shtuar të ardhurat, si dhe nga të qenurit me aftësi ndryshe. Por Ministria e Arsimit për secilën nga këto, ka politika të caktuara për reduktimin e braktisjes shkollore. Për largësinë e shkollës nga shtëpia vjen në ndihmë politika e rimbursimit të transportin për nxënës dhe mësues, si dhe rritja me 50% e biletës së transportit për nxënësit.
Për nxënësit me aftësi ndryshe në të gjitha shkollat e vendit ka rreth 1300 mësues ndihmës që trajnohen në mënyrë të vazhdueshme. Sipas ministres Kushi, ndërgjegjësimi kundër braktisjes shkollore nis me bashkëpunimin e ngushtë mes drejtuesve të shkollave, mësuesve, mësuesve ndihmës, oficerëve të sigurisë dhe punonjësve të shërbimit Psiko-Social, së bashku me familjen dhe komunitetin.Znj. Kushi ka shprehur mirënjohje për Ambasadorin Italian në Tiranë z. Fabrizio Bucci dhe përfaqësuesin e UNICEF-it Z. Roberto De Bernardi për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i japin sistemit arsimor në Shqipëri, e në veçanti për projektin më të ri “Qëndro në Shkollë”.