Raportimet nga terreni, referuar situatës së furnizimit me energji elektrike në rajonin e Bilishtit, tregojnë se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka vendosur 17 shtylla të reja, pjesë e linjës 35kV Korçë- Bilisht.

Zevendësimi i shtyllave të dëmtuara nga moti ekstrem me dëborë u realizua përmes mobilizimit të 74 punonjësve të Tensionit të Lartë, njësia juglindje, por edhe nga rajonet e tjera.

Prej tre ditësh, brigadat e avarisë së drejtorisë së Tensionit të Lartë nuk e ndalën punën në terren për vendosjen e 17 shtyllave të thyera si pasojë e motit të keq me reshje bore në zonën e Juglindjes.

Në ndihmë të TL Juglindje, OSSH ka dërguar punonjës nga drejtoritë e TL Shkodër, Fier, Vlorë dhe Laç dhe së bashku me një grup pune të OST kanë përfunduar vendosjen e 17 shtyllave të dëmtuara në linjën 35Kv Korçë-Bilisht

Megjithë motin e keq, ku reshjet e borës vijojnë të jenë të dendura, dhe terrenin e vështirë, janë vendosur aktualisht përcjellësat në 7 kampatet e para.

Në ndihmë të brigadave të OSSH kanë shkuar dhe firma të tjera me mjete pune për të kryer transportin e bazës materiale.

Vijon puna për vendosjen e përcjellësave në të gjitha kampatat, me qëllim rikthimin sa më shpejt të energjisë elektrike tek të gjithë abonentët e prekur nga kjo avari.