Nga Maksim Dollani/
Pak ditë më parë qeveria shqiptare ndërhyri për ngritjen e bordit të transparencës për çmimet e naftës, vendimet e të cilit sollën një ulje të çmimit të karburanteve në vend.
Por në kushtet e krizës globale të cmimeve, teksa qeveria ndërhyri për të mbrojtur konsumatorët shqiptarë të karburantit, disa media që deri dje raportonin për “rritje abuzive çmimesh nga tregtarët e karburanteve”, sot kanë dalë çuditërisht kundër uljes së çmimit në favor të konsumatorit.
“Monitor” një revistë e profilit ekonomik shkruan sot se formula e llogaritjes së çmimit të naftës në treg nga Bordi i Transparencës nuk mbulon kostot fikse qe operatorët e tregtimit të naftës kanë për litër.
“Këto kosto fikse përfshijnë taksat vendore, lejet mjedisore, kalibrimin, kontrollin e kasave, energjinë elektrike, pagat e punonjësve, sigurimet, tatim fitimi TVSH. Shpenzimet janë të detajuara në tabelën në fund, ku në total kosto mujore fikse për një pikë karburanti është mesatarisht 843 mijë lekë në muaj”, shkruan Monitor duke u përpjekur të argumentojë se sa shumë dëmtohet biznesi i naftës nga çmimi i ulët për konsumatorin.
Pra mediat, misioni i të cilave është të jenë në krahun tonë si konsumatorë pretendojnë se vendosja e çmimit tavan për tregtarët, masë që lehtëson konsumatorin, është në dëm të biznesit.
Për më tepër, shfaqja e mediave si Monitor, të cilat deri dje raportonin vazhdimisht për “abuzime” në tregun e shitjes së karburantit, krejt papritur në krah të biznesit, reflekton një standard të dyfishtë profesional.
E ky standard i dyfishtë, në syrin tonë si konsumatorë apo si qytetarë të informuar, ngre pikëpyetje të mëdha për besueshmërinë ndaj mediave të tilla.