Portieri më i mirë në “Euro2020”, lojtari më i mirë i këtij turneu, por as kaq nuk mjaftoi për të qenë i qetë në Paris. Në asnjë moment, që kur zbarkoi në Francë, në ekipin e tij të ri, PSG, e deri më tani, Donnarumma nuk ka arritur të ngrihet në lartësinë e emrit që përfaqëson.
Fillimisht e kishte shumë të vështirë ti merrte vendin e titullarit Navas, kur e bëri diçka të tillë, zhgënjeu në mënyrë të pabesueshme. Në Francë dhe jo vetëm, një pjesë të eliminimit të PSG nga Champions League ia faturuan atij.

Donnarumma nuk po shkëlqen më as me përfaqësuesen “azzurre”, situatë kjo e cila ka bërë që portieri të reflektojë për të ardhmen.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Donnarumma po mendon të rikthehet në Serie A pas vetëm një viti, aty ku Juventus e pret krahëhapur. Gjithnjë sipas të përditshmes italiane, “Zonja e Vjetër” i ofron 7 milionë euro neto në sezon plus bonuse që mund ta dërgojnë deri në 10 milionë euro në vit.