Nga Jakin Marena
Protestat në çdo vend demokratik janë të shëndetshme, tregojnë nivelin e demokracisë së një vendi dhe për më tepër i shërbejnë involvimit të qeverive respektive për t’u investuar më shumë në rritjen e shërbimit ndaj qytetarëve. Dhe kur ke një qeveri e cila reagon ndaj protestave me vënien e kapaciteteve qeverisëse në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të vet, është akoma më mirë dhe tregon dhe efikasitetin e daljes në shesh të njerëzve për të protestuar. Por protesta është efikase dhe jep një produkt atëherë kur bëhet në kohën dhe vendin e duhur. Pra, qëllimi i protestës ka lidhje vetëm me përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve dhe nuk ka të bëjë aspak me interferanca të tjera, në rastin më normal në Shqipëri, interferencave politike dhe në rastin më të keq të interferimit të shteteve jo mike apo armike të Shqipërisë.
Ka disa ditë që në Shqipëri kanë shpërthyer protestat kundër rritjes së çmimit të naftës dhe nënprodukteve të saj, me kërkesën që qeveria duhet të ulë taksat që janë vënë mbi karburantet. Nuk po i hyjmë analizës se sa janë këto taksa, si janë në vendet fqinje, një pjesë e të cilave disa taksa i ka vënë në fatura të tjera por që në fund të herës nëse s’paguhet në faturën e distributorit të karburantit, të del para për ta paguar në fatura të tjera. Rezultati është i njejtë, dhe qytetarët e vendeve fqinje paguajnë, të njejtën shumë me plus minuset e veta. I kam ndjekur me interes këto protesta, madje disa i kam vuajtur në kurriz duke qëndruar mbi dy orë në kryqëzim, i bllokuar nga disa studentë të cilët kishin dalë pas mesditë për të lënë orët e mësimit, por dhe për të mos “prekur” argëtimin e pasdites në kafet e Bllokut.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë këtë maninë e bllokimit të kryqëzimit orë e pa orë për të mbrojtur qytetarët nga rritja e naftës, ndërkohë që mua personalisht ato dy ditë që pata nevojë të lëviz jashtë Tiranës, fatura e naftës më vajti dyfish, pa rritjen që ishte bërë ditët e fundit. Pra në fund të herës ne hallexhinjve që duam të lëvizim me makinë jashtë Tiranës, na e dyfishuan faturën e pagesës për karburantin pikërisht ata që në emrin tonë protestojnë kundër rritjes së çmimit të naftës. Pa llogaritur ndotjen e ambientit që shkaktojnë makinat e bllokuara në trafik gjatë gjithë kohës, shtuar këtu dhe cilësinë e dobët të karburantit që hedhin në treg biznesmenët e këtij produkti dhe që asnjëherë nuk u penalizuan për këtë maskarallëk. Por që të rikthehemi tek protesta dhe slloganet e hedhura në këto grumbullime të mëdha njerëzish, vihet re me habi se protestohet vetëm kundër qeverisë. Mirë bëjnë që protestojnë kundër qeverisë, aq më tepër që tashmë dhe opozitë normale nuk kemi dhe qeverisja e ka të nevojshme opozitarimin. Dhe mbi të gjitha mund të pyesim pse u ngrit çmimi i naftës. Në krye të herës mund të themi se çmimi i karburanteve është rritur për shkak të luftës në Ukrainë, ku Rusia e Putinit në mënyrë absurde sulmoi Ukrainën duke e zhytyr atë në një konflikt të paprovokuar dhe duke bërë që bota të qëndrojë me “zemër në dorë”. Pasi Rusia është fuqi bërthamore dhe për më tepër ia ka vënë “syrin” dhe vendeve aleate të NATO-s çka mund të marrë direkt përgjigjie ushtarake po bërthamore nga Aleanca. Atëherë po, bota është në rrezik zhdukjeje.
Shqipëria është e vogël dhe njihen të gjithë, dhe nuk ka se si të mos bëjë përshtypje që në krye të protestës tashmë janë vënë përfaqësues të politikës, apo më saktë përfaqësues të opozitës radikale dhe anti-ameriukane, që përfaqësohet nga “Shtëpia e Lirisë”, një ‘aliazh’ Berisha plus Meta, sepse Kryemadhi është administratore e deleguar e LSI dhe po pret t’i lëshojë vendin burrit në krte të saj, pas përfundimit të mandatit të Presidentit më 24 korrik 2022. Të trimëruar nga rezultati që morën duke zhytur Lulzim Bashën dhe PD, për hir të së vërtetës kjo pjesë e opozitës është me brekë nëpër këmbë, pasi kanë në krye një politikan si Lulzim Basha që tërë jetën e vet e ka ngrënë qyl, ithtarët e “Shtëpisë së Lirisë” morën dalëngadalë frenat e protestës, madje dhe e “ushqyen” çdo ditë atë me njerëz që sillnin nga rrethet duke u paguar transportin, drekën dhe ndonjë pije që të mos u thahet buza në bulevardin përballë kryeministrisë apo në kryqëzimet e rrugëve nacionale, ku ua plasën shpirtin njerëzve në nevojë.
Në të gjitha deklarimet e tyre nuk ka asnjë fjalë kundër Rusisë dhe Putinit shkaktarit kryesor të tragjedisë në Ukrainë të cilën gati e kanë rrafshuar duke mos kursyer as fëmijët, pasojat e të cilës po ndihen në të gjithë botën, pa përjashtuar as Shqipërinë. Ka vetëm akuza ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të saj, pasi ka rritur çmimin e karburanteve. Pa përjashtuar faktin se në protestat e zhvilluara në Tiranë ka dhe shumë hallexhinj, por ajo që mund të themi është se nuk kam parë kurrë ndonjëherë më shumë “firmato” të bërë bashkë, më shumë makina ultra-luksoze bashkë, të cilat konsumojnë aq shumë karburant, sa me një pagë të lartë për realitetin shqiptar nuk përballohen. Ndonëse pronarët e tyre nuk firmosin në bordero askund ndërsa të thyejnë kokën me para dhe me luks. Anipse janë rritur dhe çmimet e produkteve ushqimore, furnizimi bazë yni me miell gruri është nga Ukraina, pa përjashtuar lëndet e ndërtimit dhe elementë të tjerë bazikë për jetesën në Shqipëri, nuk është dëgjuar asnjë fjalë për to. Vetëm nafta është parësore, për atë protestohet.
Megjithatë qeveria me ngritjen e bordit të monitorimit të karburanteve e vuri nën kontroll çmimin e naftës, pavarësisht se më pas publikoi dhe vuri në zbatimin menjëherë 7 pikat e rezistencës ndaj krizës, që fillon nga indeksimi i pensioneve, vazhdon me kompensimin e rritjes së çmimit të shportës, mbajtja në këto nivele të çmimit të biletës së transportit urban , dha mbështetje për fermerët, rriti nivelin e pagës minimale, zeroi taksat për pagat e ulta, përgjysmoi taksën për pagat e tjera, dhe mbi të gjitha mori përsipër barrën e pagesës së gjithë rritjes së çmimit të energjisë elektrike, “zemrekut” të ekonomisë shqiptare, duke mos lejuar asnjë lek shtesë për qytetarët dhe bizneset, sërish politika që ka uzurpuar protestën, kërkon largimin e qeverisë Rama, si shkaktare e rritjes së çmimit të karburantit. Asnjë fjalë për produktet e tjera që janë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Madje u arrit deri atje sa të kërkohet dhe hapja e garës në PS për të zgjedhur një kryeministër të ri, që të jetë kundër “Ballkanit të Hapur”, dhe të ulë të gjitha taksat. Ultimatumi i panelit të protestës së kapur nga opozita radikale “skadon” në fund të javës. Hajde merre vesh lidhjen me çmimin e naftës.
E thamë që në fillim se protesta është efikase kur gjendet momenti i përshtatshëm, në mënyrë që të mos ketë “efekte” anësore për vetë protestën dhe udhëheqësit e saj. E themi këtë sepse dëgjojmë lajme çdo ditë për protesta të fuqishme në Rusi, në Gjermani, në Britani, në Francë, në vendet fqinje kundër luftës së Rusisë së Putin në Ukrainë që po merr jetë njerëzish dhe po zhyt botën në rrezikun e luftës bërthamore. Madje protestojë dhe para shtëpisë së vajzës së pretenduar jashtë ligjit të Putin për jetën e luksit me paratë e gjakut të Ukrainës apo para shtëpisë së vajzës së pretenduar të Lavrov po me këtë motiv. Ndërkohë që me dhimbje konstatojmë se në Shqipëri, në asnjë protestë të organizuar deri më tani nuk është dëgjuar asnjë thirrje kundër Putin dhe Rusisë, nuk është parë asnjë pankartë kundër luftës, vetëm kundër qeverisë se janë rritur çmimet, anipse Shqipëria nuk e ka as qëllimin por as takatin të shkaktojë luftë, por po vuan pasojat e luftës së shkaktuar nga të tjerat si gjithë vendet e tjera të rruzullit, ku paralajmërohen rritje të mëtejshme të çmimeve për artikujt bazë.
Ka një heshtje si me komandë ndaj Putin, Rusisë dhe agresionit të egër ndaj një shteti tjetër sovran si Ukraina, që po përjeton çdo sekondë “darën” e rrethimit të ushtrisë dhe makinerisë së rëndë luftarake ruse, po përjeton në kurriz zjarrin e raketave dhe kërcënimin me armë biologjike. Eshtë një heshtje e çuditshme dhe e frikshme, që lejon çuarjen në mend dhe përmendjen e të gjitha teorive konspirative për organizatorët dhe qëllimin e organizimit të këtyre protestave në kulmin e kësaj lufte. T’i krijojnë vetë këto kushte mendimi dhe gjykimi! Harruam të përmendim se protestë kishte dhe në Serbi, por në një variant më të trashë, në mbrojtje të hapur të Rusisë dhe të Putin, duke e cilësuar qeverinë e Vuçiç si tradhëtare sepse votoi pro sanksioneve në OKB, megjithëse nuk i zbatoi ato më pas nga qeveria e vet.
Mund të themi se protesta në Shqipëri, në Serbi po e po, i shërben në mënyrë direkte interesave të Rusisë, e cila kërkon në mos destabilizimin e Ballkanit, të paktën të hapë një vatër krize në disa nga vendet e saj. Me sa duket në Shqipëri po ia arrin. Sepse në një formë apo tjetër, kjo protestë që po organizohet në Shqipëri, përpos qëllimit të mirë që kanë një pjesë e qytetarëve që dalin në bulevard, i shërben në mënyrë të qartë interesave ruse përmes radikalëve shqiptarë. Me sa duket rusët po marrin mbrapsht ‘investimin’ e bërë për vite me radhë tek disa politikanë në Shqipëri, qoftë dhe ndonjë përfaqësues të medias apo grupi këshillimi në institucionet kryesore në vend e që tashmë janë të detyruar që të investohen në destabilizim për të shërbyer.
Nuk është rastësi se janë shtuar takimet e fshehta nëpër bodrumet e lokaleve rrotull ambasadës ruse me njerëz të njohur dhe të deklaruar në media si të rekrutuar nga shërbimi sekret rus, duke dirigjuar në terren tërë lëvizjen kundër qeverisë për rritjen e çmimit vetëm të karburanteve. E ceku në mënyrë tangente dhe kryeministri Edi Rama, i cili nënvizoi se “…vë në diskutim moralin e kësaj maskarade dhe shumë të tjera vë në diskutim. Nuk është e pazakontë që të infiltrohen të tjerë, por edhe ata të tjerë që i sponsorizojnë pas këtyre. Aty nuk janë populli por janë një pjesë. Ajo që është problem është që mohohet që këto janë pasoja të luftës”. Një shqetësim i ngritur nga kryeministri që duhet të jetë shqetësim dhe për institucionet tona të inteligjencës për të arritur deri tek ata “të tjerët” që po sponsorizojnë këto protesta, koha dhe vendi i të cilave po na turpëron para botës së qytetëruar, e cila është e ngërthyer nga rreziku i një përplasjeje bërthamore për shkak të pushtimit rus në Ukrainë dhe synimit të Putin për të goditur dhe jashtë saj, në përpjekje të realizimit të ëndrrës së tij për rikthimin e Bashkimit Sovjetik të dikurshëm, vendosjen e një rendi të ri botëror dhe marrjen pjesë në skicimin e ri të hartës së botës.
Nuk mund të neglizhohen raportet serioze ndërkombëtare që ngrenë shqetësimin se Rusia nxit çdo skenar konflikti e krize politike në Ballkan, për të larguar vëmendjen nga masakra që po kryen në Ukrainë dhe synimi për shkatërrimin e vendeve përreth saj. Jo rastësisht janë përcaktuar si vatra të mundshme krize në Ballkan, Kosova, Bosnje-Herzegovina, por nuk përjashtohet as Mali i Zi. I cili i doli para të keqes, duke larguar kryeministrin pro-rus dhe duke i dhënë në dorë qeverisjen e vendit, pakicës të drejtuar nga shqiptari Dritan Abazoviç. Me sa duket qëllimi është dhe në Shqipëri, për ta shkëputur këtë vend ballkanik, me ndikim të fortë në rajon, nga mbështetja për NATO-n dhe Ukrainën, për ta gozhduar në krizën e vet dhe për ta përhapur këtë krizë jashtë kufijve.
Ka shqiptarë në pesë shtete dhe “orteku” i krizës bëhet shumë i madh nëse nis. Jo pa qëllim ministri i jashtëm rus, Lavrov nuk mungoi që dhe në Turqi, pas takimit me homologun ukrainas, të përmendë si “rastësisht” Ballkanin, një paralele aspak e përshtatshme me Ukrainën. Madje është çudi se sa herë që Rusisë dhe Serbisë i nevojitet një “dorë” ndihme për të përballuar presionin ndërkombëtar, menjëherë i vijnë në “ndihmë” nga Shqipëria, me protesta e deri në përballje të dhunshme. Kështu ndodhi në rastin e Rambujesë, bombardimeve të NATO-s në Kosovë, kështu po ndodh dhe tani kur Rusia është e bllokuar nga e gjithë bota për shkak të agresionit në Ukrainë. Aq më tepër që tani Putinit nuk po i ecën pushtimi në Ukrainë siç e kishte parashikuar, ndaj i duhet pak “frymëmarje”. E cila tenton ti jepet nga “sovranistët” shqiptarë.
Dikush mund të thotë se udhëheqësit e këtyre protestave kanë probleme me SHBA-në, njëri “non grata” e tjetri kandidat për këtë “çmim”, pasi janë të ambandonuar nga SHBA dhe BE dhe gjejnë “strehë” vetëm tek Rusia e Putin dhe “raketat ruse” për të mbijetuar në politikë. Ky nuk është justifikim në të gjitha herët. As për të shërbyer si bazë për të hedhur vendin në destabilitet. Ndoshta kanë bërë punën e tyre dhe paratë e krimit të nëndheshëm rus, lobimet në SHBA me para ruse, por këto janë objekt i shërbimeve inteligjente shqiptare. E vërteta e kulluar është se intereferenca ruse është prezente në Shqipëri. Madje nuk mundohen “kallauzët” e tyre në Tiranë as ta modifikojnë duke bërë një protestë kundër Putin dhe Rusisë, qoftë dhe sa për sy e faqe. Në ditët në vijim do të shohim se si do të vijojë kjo situatë, për të matur dhe “masën” e sponsorizimit për politikën radikale shqiptare, që ka harruar tashmë se ka një agresion rus në Ukrainë, me pasoja ekonomike dhe më me rrezik për të gjithë botën, përfshirë dhe Shqipërinë, por që kjo politikë është përqëndruar kundër qeverisë për përfitime politike. Një gjë duhet pasur parasysh nga promotorët e krizës dhe destabilitetit: Edi Rama nuk mundet kurrë në “habitetin” e tij të preferuar, ai ia ka marrë dorën përballimit të krizave. E bëri me rastin e diegies së mandateve, sulmin ndaj iunstitucioneve, bojkotimin e zgjedhjeve vendore nga opozita, por dhe tërmetin, pandeminë, do ta bëjë dhe me situatën e krijuar pas sulmit rus në Ukrainë. E keqja është se më shumë se sa tentativë për të rrëzuar qeverinë e Ramës, kjo përpjekje e “boshtit të së keqes” në Shqipëri, na ngjan me një Kthim “investimi” për paratë që kanë hedhur interferuesit e krizave në Ballkan, rusët. Të presim ku do t’i dalë “tymi”!