Gazetarja ruse, e cila ndërpreu transmetimin e lajmeve të televizionit shtetëror rus duke mbajtur një tabelë kundër pushtimit të Ukrainës nga vendi ka thënë se është e frikësuar për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.
Marina Ovsyannikova shtoi se nuk ka plan të largohet nga vendi dhe shpreson që nuk do të përballet me akuza penale.
Ajo gjithashtu tha për Reuters se shpreson se protesta e saj “nuk ishte e kotë” dhe populli rus do të hapë sytë dhe do të shqyrtojë propagandën e luftës me më shumë kujdes.
Gazetarja u shfaq gjatë edicionit të lajmeve në televizionin shtetëror rus “Channel One”, me një pankartë ku shkruhej “Ndaloni luftën. Mos i besoni propagandës”. Ajo u shoqërua në një stacion policor në Moskë menjëherë pas ngjarjes, ndërsa tani nuk dihet se ku ndodhet.