Nga ARTUR AJAZI
Edi Rama, nuk kishte mbushur 100 ditët në pushtet, dhe prej frëngjive të Partisë Demokratike, doli deklarata e parë politike e pabazuar asgjëkundi “qeveria po zhytet në korrupsion…”. Dhe pastaj me rradhë nisën “betejat” e Sanço Panços me “mullinjtë e erës”. Duke dashur të mbajë të ndezur tek mbështetësit e saj, ndjenjën e “opozitës luftarake”, gjithmonë Partia Demokratike e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, kanë synuar të godasin me “gurë” gjithçka bënte dhe gjithçka po bën qeveria. Edhe sikur mrekullitë e botës të sjellë Rama në Shqipëri, ajo do të thotë “mos i besoni janë fallco”. Partia Demokratike gjithmonë ka qenë e pabesueshme në deklaratat e saj, në aksionet e saj opozitariste, në betejat e saj, në protestat e saj, në bashkëpunimet e saj institucionale me qeverisjen dhe institucionet ligjzbatuese.Kjo ka ndodhur dhe po ndodh, sepse shqiptarët “krizën dhe korrupsionin” që trumbeton dhe përpiqet ta shpalosë si “betejë opozitare” Partia Demokratike, ende nuk e ka luftuar nga vetja.
Aktualisht sot ajo parti, ka në seli një “non-grata” nga SHBA, (aleati ynë stradegjik) një ish-kryetar dhe ish-kryeministër i akuzuar për afera të tmerrshme korruptive dhe vepra të tjera penale. Askush nuk mund të besojë se, lufta ndaj “korrupsionit dhe krimit të organizuar” e bërë nga Berisha apo Basha, është betejë serioze, ligjore, korrekte, dhe e sinqertë. Mjafton të kalosh nën “filtrin” e SPAK-ut, 80 per qind të atyre që ka me vehte Berisha apo dhe Basha, për tu bindur sa të korruptuar janë, sa të lidhur kanë qenë dhe janë, me oligarkët e Shqipërisë. Do të bindemi sa para kanë fituar, sa prona kanë blerë apo kanë marrë nga rrjetet e krimit dhe korrupsionit në këmbim të favoreve, kur kanë patur pushtetin apo edhe kur kanë qenë në opozitë. Për ç’luftë ndaj krimit dhe korrupsionit flasin Alibeaj, Tabaku apo dhe ndonjë sejmen tjetër, kur “garda” e vjetër apo dhe vetë ata, janë ngjyer në afera të tilla ? Për ç’luftë ndaj krimit dhe korrupsionit flasin në Partinë Demokratike, kur ish-ministrat dhe ish-kryeministri, janë të akuzuar dhe pasuruar me para tenderash, konçesionesh, dhe rryshfetesh nga oligarkët sa kishin pushtetin?
Shqiptarët u lodhën, u drobitën, dhe nuk besojnë më beteja donkishiteske të një opozite të shkatërruar nga lufta e brëndshme klanore. Si mund ti besohet një opozite apo një partie politike, që po bën betejë me “krimin dhe korrupsionin e qeverisë”, kur nuk ka shlyer akoma mëkatet e saj. Kur mban mbi shpinë faturën e 1997, si shkaku kryesor i krimeve që po ndodhin edhe sot e kësaj dite në këtë vend. Apo, kur nuk ka shlyer akoma nga vetja,akuzat për shkatërrimin e shtetit, zhytjen e vendit në informalitet, shkatërrimin e institucioneve ligjzbatuese, krijimin e një klime aspak favorizuese për investimet e huaja dhe ato vendese, dhe është shkaktare kryesore e vuajtjeve të këtij populli, për mungesën e shtetit ligjor sa kishte pushtetin. Zonja Tabaku, mirë bën që kërkon arrestimin e ndonjë ministri në qoftëse ai ka shkelur ligjin, por do të ishte më e besueshme në rast se kërkonte edhe arrestimin e ish-ministrave dhe ish-kryeministrit saj. Atëhere do ta besonim se e kishte vërtetë seriozisht këmbënguljen e saj, për të shtyrë SPAK-un të zbatonte ligjin.