Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të sotëm me një grup pensionistësh për “Paketën e Rezistencës Sociale” theksoi se të gjithë protestuesit në botë po i japin kohë kohës, sepse është kohë lufte dhe respektojnë ata që luftojnë dhe viktimat në Ukrainë.
Rama tha se: Edhe “Jelekët e verdhë” që janë protestuesit më të çmendur në botë, që e dogjën Parisin dhe e bënë shkrumb e hi, për shumë më pak nga sa janë rritur çmimet sot të karburantit apo të mallrave të tjera. Edhe “Jelekët e verdhë”, sot, nuk protestojnë sepse të gjithë protestuesit e botës i kanë dhënë kohë kohës dhe respektojnë viktimat atje, se e dinë që vendi i tyre është futur në një luftë, pavarësisht se avionët nuk vijnë mbi kokat e tyre.”
Kryeministri edhe një herë risolli në vëmendje se efektet e çmimeve nuk janë vetëm tek vendet që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, meqë ata do duhet ta blejnë naftën më shtrenjtë.
“Turqia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por çmimi i energjisë atje është rritur 100 për qind në faturë, me gjithë inflacionin që kanë. Edhe Serbia nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, por çmimet janë të rritura po njësoj”, tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë shtoi se: “Problemi më i madh, që dhe vetë ekspertët e fushës flasin, është po kur të mungojë fare, kur të bjeri komplet oferta dhe mos ketë energji, të dalësh në treg dhe të mos ketë. Po kur të mungojë nafta. Sot, furnizimi me naftë është problemi kryesor, që të gjesh anijet që vijnë këtu sepse të gjitha vendet po i mbyllin.”
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se: “Kompanitë e grurit kanë kontraktuar 20 mijë tonë në Serbi, por janë mbyllur. Dhe ne po përpiqemi ta hapim me diplomaci, me Ballkanin e Hapur. Nëse Ballkani i hapur vlen për diçka, tani vlen.”