Kryeministri Edi Rama u takua sot me disa furnizues të ushqimeve për të prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale.
Kreu i qeverisë tha se: “Është momenti për të bërë një komunikim publik për të ndarë me ju se cila duhet të jetë vija e sjelljes në këtë moment kaq dramatik, vijë që diktohet nga domosdoshmëria për të pasur një qasje të ndryshme nga ajo e kohëve normale. Unë nuk hyj te ata që besojnë në ndërhyrjet në treg, por kjo vlen për krizat në një kohë normale, siç ishte ajo e inflacionit kudo në botë që u reflektua si këtu. Sot jemi në kushte të tjera, kriza nuk është organike, por është e imponuar nga një agresion ushtarak i një fuqie të madhe ekonomike në furnizimin e shumë lëndëve të para, Rusisë mbi Ukrainën dhe nga një sërë zhvillimesh të kësaj lufte që po krijojnë në mënyrë të vazhdueshme një destabilizim të tregut.”
Në vijim Rama tha se: “Dua të jeni të bindur se ne i dimë vështirësitë tuaja në këtë situatë, ku vështirësia kryesore dhe aq që mund të rëndohet më tutje, është gjetja e tregjeve, zëvendësimi i tyre, por tani është momenti për të harruar fitimin, për të vendosur kapacitetet tuaja në funksion të përballimit të kësaj sfide shumë të madhe, që nuk e kemi zgjedhur ne, dhe të mbështetjes së atyre që janë më në nevojë se ne që jemi këtu. Janë disa produkte bazë të shportës dhe këtu produkti më domethënës është vaji, që kanë kërcyer në çmim, jo pa arsye por ku ne besojmë se ka hapësirë të mjaftueshme për të manovruar me një ulje të çmimit për to”.
Kryeministri mbështet mendimin e ekspertëve se ky moment i parë alarmi që u krijua ishte i paevitueshëm, por tani nuk mund të vazhdohet sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe nuk mund të bëhet eksperiment fitimprurës këtu, në një kohë kur konsumi nuk ka rënë.