Nga Skënder Minxhozi/
Edi Rama ka kapur shtetin, kontrollon drejtësinë me duart e amerikanëve dhe Sorosit që konceptuan reformën në drejtësi! Kjo është ndoshta akuza më e shpeshtë që i është bërë në pesë vjetët e fundit Ramës dhe maxhorancës së tij. Një akuzë që dëgjohej në fakt edhe kur Adriatik Llalla nuk kishte dhënë ende dorëheqjen, e që lidhet padyshim me konceptin e vjetër se kush ka pushtetin politik kontrollon medoemos edhe sistemin e drejtësisë.
Cinizmi dhe ironia është që ta dëgjosh këtë frazë nga goja e asaj pjese të politikës që e shpiku dhe ngriti në sistem kontrollin mbi drejtësinë. Është ajo pjesë e politikës shqiptare që ulej e hante darka në formë presioni mbi gjyqtarët, një natë para se gjykatat më të larta të shtetit të shpreheshin për zyrtarë të lartë të rënë në rrjetën e përgjimeve. Është ajo pjesë e politikës që doli pa u lagur nga asnjë pikë e vetme uji nga 21 janari, vjedhja e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, Rruga e Kombit, Gërdeci apo të tjera zullume që i kanë kushtuar shumë këtij vendi.
I bëhej qeverisë socialiste kjo akuzë edhe kur Berisha ngrihej në parlament dhe hidhte nga podiumi më i lartë i vendit kushtrimin “Armatosuni”, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. I bëhej edhe kur opozita sulmonte me dallgë azapësh e jeniçerësh muret e institucioneve të shtetit, duke vënë në zjarr e flakë bulevardin qëndror të Tiranës, sërish pa asnjë pasojë nga ana e institucioneve të drejtësisë, prokuroria apo gjykatat. Asnjë i hetuar ndër ata që jepnin urdhërat për mësymje mbi muret e shtetit.
I thuhet sot Edi Ramës kjo akuzë nga mëngjesi në darkë, edhe kur derën e qelisë po e shohin ministra e zyrtarë të lartë socialistë, apo edhe kur Gjykata Kushtetuese i jep një shuplakë publike kryeministrit, duke hedhur poshtë një demarsh serioz të Kuvendit të Shqipërisë për të shkarkuar Presidentin Meta. Në çdo rast dhe në cilëndo situatë shprehja në modë është “Rama kontrollon drejtësinë”! Nëse nuk është e vërtetë, është e gjetur bukur, thotë proverbi.
Ironia e orëve të fundit është se një akuzë e tillë shabllone po përsëritet edhe pasi një gjyqtar me lidhje të pranuara nga vetë ai me Sali Berishën, i ka dhënë praktikisht në dorë çelësat e Partisë Demokratike ish-kryeministrit, duke formalizuar daljen prej andej të fraksionit të Lulzim Bashës. Nëse ka një akt të hapur dhe flagrant kontrolli dhe influence mbi drejtësinë, është pikërisht ky i Agron Zhukrit, demokratit fanatik të kthyer në gjyqtar, bashkëshortja e të cilit ka qenë hiç më pak sesa sekretarja personale e zotit Berisha. Për më tepër, vetë Agron Zhukri ka qenë ndihmës-gjyqtar në procesin e 14 shtatrorit 1998, kur ndaj Kryeministrisë morën shënjestër edhe antitanket. Dihet si përfundoi edhe ai proces: fajtorët e vërtetë nuk u prekën as me pupël!