Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Përmes një mesazhi në Twitter, ai thotë se rritja e sasisë së kokainës të kapur nga autoritetet shqiptare në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021 dhe pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në operacione të përbashkëta ndërkombëtare, janë tregues të rëndësishëm që dëshmojnë efikasitetin e punës së strukturave tona dhe besimin e rritur te Policia e Shtetit. Më poshtë reagimi i plotë i Çuçit.
“Rritja e sasisë së kokainës të kapur gjatë vitit 2021 në Portin e Durrësit falë punës së Policisë së Shtetit është një tregues domethënës i efikasitetit tonë në luftën e vazhdueshme kundër grupeve kriminale në fushën e narkotikëve.
Ky fakt është evidentuar edhe në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku vlerësohej gjithashtu pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në operacione të përbashkëta ndërkombëtare për të goditur trafikun dhe sekuestruar asetet e paligjshme. Këto dy të dhëna kuptimplote dëshmojnë se puna e Policisë së Shtetit dhe besimi tek kjo strukturë janë ngritur në një tjetër nivel. Mbetemi të përkushtuar për thellimin e rezultateve përmes shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të tjera të përbashkëta”, shkruan Çuçi.