Report Tv raportoi skandalin në zgjedhjet për kreun e ri të FSHF-së, por e vërteta ka një kosto. Armand Duka nuk e ka vonuar hakmarrjen duke refuzuar akreditimin e Report Tv për ndeshjet e Kombëtares, duke bërë një akt censure kundër një media të pavarur.
Hyrja në tribunën e shtypit realizuar në stadiumin e ri “Air Albania” sipas standarteve të fiksuara nga Uefa, është një parim i respektuar në të gjithë stadiumet e botës. Gazetarët nuk kërkojnë akteditim në tribunën e shtypit si tifozë, por si operatorë të informacionit që duhet të informojnë tifozët dhe opinionin publik mbi ndeshjet që luhen. Kjo e drejtë iu është mohuar gazetarëve të Report Tv
Siç ndodh gjithnjë, në çdo ndeshje të kuqezinjve, gazetari i Report Tv ka dërguar e-mailin për t’u akredituar në miqësoren e Shqipërisë me Gjeorgjinë dhe përgjigja ka qenë thjesht një njoftim se akreditimi është refuzuar. Arsyeja? Drejtori i Komunikimit, Andi Verçani, me arrogancën që i jep pushteti, nuk e ka marrë mundimin që të jap as edhe një arsye mbi motivet e këtij refuzimi. Një vendim krejtësisht jashtë çdo rregulli dhe logjike, e ku tregon fare qartë se Armand Duka trajton ndeshjet e kombëtares dhe stadiumin ‘Air Albania’ si pronë e tij e që mund të bëjë ç’të dojë.
Kjo nuk është hera e parë, që FSHF-ja e Armand Dukës ka censuruar Report Tv. Një gjë të tillë e bëri edhe në procesin e manipuluar zgjedhor për kreun e ri të Federatës Shqiptare në 15 mars, por edhe në ndeshjen e U-21 të kuqezinjve kundër Çekisë në Elbasan 3 ditë më parë, ku gazetarit të Report Tv, iu kthye sërish e njëjta përgjigje “Kërkesa juaj për akreditim është refuzuar”, pa asnjë argument.
Kjo bie ndesh edhe me deklaratat e kreut të pezulluar të FSHF-së Armand Duka, i cili pasi u rizgjodh deklaroi se një nga pikat e programit është përmirësimi i marrëdhënieve me mediat. Ky akt çensure ka një precedent të famshëm në vitet kur Sali Berisha refuzonte akreditimin e gazetarëve tanë për të ndjekur konferencat e tij për shtyp. Armando Duka kopjon Berishën duke përdorur stadiumin si të ishte shtëpia e tij.