Pas raportimit në disa media se një një nga truprojat e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ka kërcënuar me armë disa banorë të Paskuqanit që po protestonin kundër projektit të Unazës së Madhe, ka reaguar vetë punonjësi i Gardës së Republikës, Euglen Benga. Përmes një deklarate ai i cilëson si të pavërteta këto raportime, si dhe shpjegon dinamikën e asaj që ndodhi pasditen e sotme.
“Unë isha duke u kthyer në shtëpi pasi banoj në këtë zonë. Me vete në makinë kisha bashkëshorten dhe vajzën 1-vjeçe. Papritur disa nga protestuesit më bllokuan rrugën dhe filluan të qëllonin makinën me shkelma e grusht duke traumatizuar bashkëshorten dhe vajzën. Nuk di si ta shpjegoj këtë ngjarje, mbase e kanë bërë edhe kastile për të më provokuar pasi një pjesë e tyre më njohin. Por me çfarë është shkruar në portale, duke të them se për asnjë çast nuk kam dalë nga makina dhe jo më të kem kërcënuar njeri me armë. Kjo është fare e dukshme edhe nga video e transmetuar. Kam pritur derisa rruga është liruar për të kaluar. Unë jam punonjës i Gardës së Republikës dhe aktualisht shërbej si pjesë e grupit të shoqërimit të Kryetares së Kuvendit, por asnjëherë nuk kam pasur lidhje me politikën dhe as jam ndikuar prej saj në kryerjen e detyrës”, sqaron punonjësi i Gardës së Republikës, Euglen Benga për Lexo.al.
Për këtë incident ai ka dhënë deklarimet përkatëse në polici, burime pranë së cilës konfirmojnë se punonjësi i Gardës nuk ka kërcënuar askënd nga protestuesit dhe as ka dalë fare nga makina./Lexo.al