Nëse disfata e pësuar në El Clasico mund të mos ketë pasoja për Real Madrid-in në garën për titullin në La Liga, për shkak të avantazhit të konsiderueshëm ndaj Sevilla-s dhe Barcelona-s, duket se pasojat më të këqija për humbjen kundër skuadrës së Xavi-t kanë qenë për Carlo Ancelotti-n, të paktën për aspektin mediatik.

Pozicioni i trajnerit italian është i blinduar për momentin, për shkak të rendimentit të mirë të skuadrës në La Liga dhe kualifikimit në çerekfinalet e Champions League kundër PSG-së, por humbja 4-0 e pësuar kundër Barçës ka sjellë një stuhi mediatik kundrejt Ancelotti-t, i cili është vënë në shënjestër nga tifozët e Real-it.

Siç ka bërë të ditur Mundo Deportivo, në fakt, në rrjetet sociale populli i Bernabeu-t duket se e ka shkarkuar ish-trajnerin e Milan-it, duke kërkuar zëvendësimin e tij me dy flamuj të së kaluarës së afërt të Real-it: në radhë të parë në preferencat e tifozëve janë Xabi Alonso, trajner aktual i Real Sociedad B, përpara Raul, i cili është në drehtim të Castilla-s, skuadra e dytë e Real Madrid, në mesin e klasifikimit në Segunda Division.

Shumë kritik ndaj Ancelotti-t ka qenë edhe Gutti, shtyllë e Real Madrid-it për pothuajse 20 vite nga 1994 në 2010. Ish-mesfushori, fitues i dy Champions League ka kritikuar trajnerin për zëvendësimet e bëra në El Clasico:

“Stoli i Real Madrid kishte lojtarë si Hazard, Isco dhe Jovic dhe më thoni se nuk mund të zëvendësohej askush? Zëvendësimi i parë që ka bërë Ancelotti ka qenë Mariano. Nuk arrij ta kuptoj”, ka thënë Gutti për Chiringuito TV.

“Është shqetësuar më shumë për arbitrin dhe kundërshtarët se sa për të luajtur futboll”.