Edy Reja, trajneri i Shqipërisë, ka bërë prognozën e ndeshjes Atalanta-Napoli, para zhvillimit të saj të dielën. Me statusin e ish-it të dyfishtë, trajneri i kombëtares së Shqipërisë e nisi duke lavdëruar Gian Piero Gasperinin në “Gazzetta dello Sport”:
“Unë e konsideroj atë Sacchi-n e 10 viteve të fundit për mënyrën se si ka revolucionarizuar futbollin italian. Këtu kam parasysh presionin, lojën një kundër një, shoqërimin e aksionit sulmues me 6-7 lojtarë etj. Ishin gjëra të papara kurrë, referuar mënyrës se si ai i bën këto.
Spalletti është më eklektik, një magjistar në leximet taktike, që shfrytëzon maksimalisht kundërsulmin. Për një kohë të gjatë axurrët ishin të preferuarit e mi për titull, por disa rezultate të fiksuara tashmë nuk i prisja”.
Pastaj dy fjalë edhe për mungesat: “Zapata është thelbësor për Atalantën, por për llojin e ndeshjes, skualifikimi i Osimhen është edhe më i rëndë, sepse do të ishte arma perfekte, duke qenë se zikaltrit lënë shumë fushë për të sulmuar. Në një situatë të tillë, Osimhen është shkatërrues”.