Ka në pronësi zyrtarisht dy automjete, të dyja të epokës sovjetike, si dhe një shtëpi modeste, 74 metra katrorë në Shën Petersburg. Nuk është pasuria e një ish-zyrtari të devotshëm të KGB-së në pension, por deklarimi i fundit zyrtar i pasurisë, në vitin 2018, i personit që kontrollon prej dekadash Rusinë dhe që sot po terrorizon botën.

Por presidenti Vladimir Putin, sipas burimeve, me shumë gjasa është ndër personat më të pasur në botë, edhe pse paratë nuk kanë qenë kurrë pasioni i tij më i madh.

Zyrtarisht, presidenti rus ka një rrogë vjetore rreth 140 mijë dollarë, një shumë vërtet përrallore për një qytetar të mesëm rus, por që nuk justifikon as pjesën më të vogël të shpenzimeve të tij.

Analistët që shohin prej vitesh edhe detajet minimale të njeriut më të pushtetshëm në Kremlin, thonë se ajo shifër nuk justifikon as çmimin e një prej orëve luksoze që mban në dorë, një nga lukset e pakta të dukshme të tij në publik.

Putin thuhet se ka në pronësi të paktën një pallat të bukur në Detin e Zi, dhe një super jaht me vlerë rreth 100 milionë dollarë, me emrin “Graceful”, por këto nuk janë veçse maja e ajsbergut të pasurisë që ka mbledhur nga viti 2000, kur mori drejtimin e shtetit në mënyrë pothuajse të papritur.

Një hetim i senatit amerikan në 2017, solli në pah një shifër që i përafrohet 200 miliardë dollarëve, shifër kjo që më shumë se nga fakte konkrete ka të bëjë me lidhjet indirekte që presidenti mban me disa nga oligarkët më të mëdhenj rusë. Është një dyshim më se konkret fakti që disa prej tyre përfaqësojnë thjesht fytyrat zyrtare të manovruara nga “cari” postkomunist i Moskës. Por jo vetëm.

Përmes një serie të ndërlikuar skemash financiare, pjesërisht të zbuluara nga dokumentet e “Panama Papers” në 2016, Putin mund të fshehë kuota të rëndësishme në disa nga kompanitë më të mëdha në botë. Autoriteti më i njohur në zbulimin dhe renditjen e miliarderëve të botës, revista People, e cilëson pasurinë e vërtetë të presidentit rus si “ndoshta më i vështiri nga të gjithë për t’u zbuluar”.

Për këtë arsyeje, sanksionet personale të vendosura ndaj tij nga Uashingtoni dhe vendet e tjera aleate, mund të mos jenë realisht efektive, edhe pse zbulimi edhe i një pjesë të vogël, do të kishte efekte negative në imazhin e tij, të paktën në Rusi, atij të njeriut të interesuar vetëm për pushtet.